Çmimet e naftës ranë ndjeshëm javën e kaluar, rreth 3 për qind, pasi lajmi për një plan të mundshëm paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës ndikoi menjëherë në pritshmëritë e tregjeve, duke i zbritur çmimet në nivelet më të ulëta të muajit.
Në tregun e Londrës, një fuçi u tregtua me 62.56 dollarë pas një rënieje prej 2.9 për qind, ndërsa në tregun amerikan çmimi ra me 3.4 për qind në 58.06 dollarë, duke fshirë plotësisht rritjet e lehta të javës pararendëse. Gjatë gjithë javës luhatjet ishin të kufizuara, pasi nuk pati ndryshime të prekshme në balancën globale të ofertës dhe kërkesës: ekonomitë kryesore botërore po rriten ngadalë, duke frenuar kërkesën për energji, ndërsa prodhuesit kryesorë të naftës, përfshirë OPEC-un dhe SHBA-në, po vazhdojnë të rrisin dalëngadalë prodhimin, çka nënkupton se oferta pritet të mbetet më e lartë se kërkesa për një periudhë të caktuar.
Rënia më e madhe ndodhi të premten, pasi u raportua se Uashingtoni kishte përgatitur një plan paqeje me 28 pika për t’i dhënë fund konfliktit dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar me ndërmjetësuesit amerikanë. Një marrëveshje paqeje do të mund të hapte rrugën për normalizimin gradual të eksporteve ruse të naftës, të cilat aktualisht janë të kufizuara nga sanksionet e SHBA-së kundër kompanive të mëdha ruse si Rosneft dhe Lukoil, masa që synojnë dobësimin e kapacitetit financiar të Moskës për të mbështetur luftën. Vetë perspektiva e rikthimit të mëtejshëm të naftës ruse në tregjet botërore ka mjaftuar për të shtuar pritshmëritë për një ofertë më të bollshme në të ardhmen, duke ushtruar presion të menjëhershëm mbi çmimet dhe duke shtuar pasigurinë për drejtimin e tregut në javët e ardhshme.
Nafta bie me 3%: Plani i paqes SHBA–Ukrainë trondit tregjet dhe ul çmimet në nivel mujor
Data
