Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka kërkuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu që të tërheqë trupat izraelite nga territoret e Sirisë dhe Libanit, raportoi Axios, duke iu referuar zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë.
Sipas raportimit, gjatë bisedës telefonike Trump shprehu shqetësimin se prania ushtarake izraelite në Siri po shton tensionet dhe mund të shkaktojë një përshkallëzim të mëtejshëm në rajon.
“Ata nuk të duan atje. Duhet të ridislokohesh”, mësohet t’i ketë thënë Trump kryeministrit izraelit, sipas një zyrtari amerikan të cituar nga media.
Presidenti amerikan pretendohet se ka bërë një kërkesë të ngjashme edhe për praninë e trupave izraelite në Liban. Netanyahu, nga ana tjetër, ka argumentuar se Izraelit i nevojiten zona sigurie përgjatë kufijve për të garantuar mbrojtjen e vendit.
Telefonata, sipas Axios, u zhvillua një ditë pasi Trump u takua me presidentin sirian Ahmad al-Sharaa në margjinat e samitit të NATO-s në Turqi.
Administrata amerikane po përpiqet të çojë përpara një marrëveshje sigurie ndërmjet Izraelit dhe Sirisë, me synimin për të ulur tensionet dhe për të shmangur një konflikt më të gjerë në rajon.
