Prokuroria e Shkodrës ka shpallur moskompetencë për masakrën me 4 të vrarë të regjistruar pasditen e të enjtes së 30 Tetorit në afërsi të Dobraçit në Shkodër.
Prokuroria e Shkodrës ka dyshime se ngjarja është kryer nga një grup i organizuar kriminal, vepër që e ka në kompetencë për ta hetuar Prokuroria e Posaçme dhe për këtë arsye kjo dosje do të merret nën hetim nga SPAK-u.
Dyshohet se shënjestër e atij atentati mafioz ishin 23-vjeçari Hamza Lici dhe 32-vjeçari Arlind Bushati, të cilët ranë pre e breshërisë së kallashnikovit në momentin kur po udhëtonin me një automjet tip “Benz” me targa kroate. Lici ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa Bushati pas disa orësh në spital.
Ndërkohë, mbetën dhe dy viktima aksidentale, çifti Bashkim dhe Flutura Basha, të cilët po udhëtonin me motor në momentin kur u përplasën nga automjeti me të cilin po udhëtonin dy viktimat e tjera. Flutura Basha ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, teksa bashkëshorti i saj Bashkim Basha mbeti i plagosur rëndë, por dhe ai nuk arriti dot t’u mbijetojë plagëve të marra, duke ndërruar jetë pas 4 ditësh në spital. Çifti Bashkim dhe Flutura Basha lanë pas tre fëmijë, teksa në momentin e atentatit ata po ktheheshin pas pune për në banesën e tyre.
Kujtojmë se viktima Hamza Lici është vëllai i Ibrahim Licit, i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare për veprën penale “Vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet si autor i vrasjes së Endri Mustafës në Shkodër më 15 maj të vitit 2021.
