Presidenti i Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka lëshuar kritika të forta ndaj kryeministrit britanik Keir Starmer, duke deklaruar se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë pësuar ndryshim që pas ardhjes së tij në pushtet.
Në një deklaratë të fundit, Trump u shpreh se lidhjet mes SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë qenë historikisht shumë të forta dhe stabile, por sipas tij, kjo situatë ka ndryshuar me drejtimin e ri politik në Londër.
“Marrëdhënia ishte perfekte deri në momentin që erdhi Starmer,” u shpreh Trump, duke lënë të kuptohet për një përkeqësim të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Ai theksoi gjithashtu se SHBA nuk ka nevojë për disa nga mbështetjet ushtarake të ofruara nga Britania, duke iu referuar konkretisht diskutimeve për dërgimin e mjeteve detare në kuadër të zhvillimeve të fundit ndërkombëtare.
“Ju nuk keni pse të më dërgoni transportues aeroplanësh… nuk kemi nevojë për to,” tha Trump, duke shtuar se këto mjete do të vinin vetëm pasi SHBA të kishte arritur objektivat e saj ushtarake.
Deklaratat e tij vijnë në një moment të tensionuar në arenën ndërkombëtare, ku bashkëpunimi mes aleatëve perëndimorë është vënë në provë nga zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe sfidat e sigurisë globale.
Pavarësisht kritikave, Trump ritheksoi se marrëdhënia afatgjatë mes SHBA-së dhe Britanisë duhet të vazhdojë, duke e cilësuar atë si një nga partneritetet më të rëndësishme strategjike në botë
