Mediat italiane i japin jehonë protestës së PD-së: Sky TG24 flet për korrupsion dhe krizë politike në Tiranë

Data

Protesta e zhvilluar mbrëmjen e së hënës nga Partia Demokratike në Tiranë ka marrë vëmendje të gjerë edhe në mediat italiane. Televizioni Sky TG24, një nga kanalet informative më të rëndësishme në Itali me transmetim 24-orësh, i ka kushtuar një kronikë të veçantë zhvillimeve në kryeqytetin shqiptar.

Sipas raportimit të Sky TG24, protesta e opozitës së qendrës së djathtë, e udhëhequr nga Sali Berisha, u shoqërua me tensione, ku në përfundim të tubimit disa bomba molotov u hodhën drejt godinës së Kryeministrisë. Forcat e rendit, të dislokuara në të gjithë perimetrin e institucionit, ndërhynë për të shuar flakët dhe për të parandaluar përplasjet direkte me protestuesit, megjithëse manifestuesit arritën të thyejnë edhe gardhin metalik të vendosur përpara godinës qeveritare.

Televizioni italian thekson se kërkesa kryesore e protestës ishte dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Tubimi, sipas kronikës, u zhvillua në një klimë të fortë tensioni politik dhe u nxit nga dy hetime të rëndësishme të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit.

Hetimi i parë lidhet me një seri tenderësh publikë, ku është e përfshirë zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për të cilën është kërkuar autorizimi për procedim penal. Hetimi i dytë ka në fokus Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, një institucion kyç i administratës shtetërore, i përfshirë në një skandal korrupsioni, ku drejtoresha dhe zëvendësdrejtoresha ndodhen në arrest shtëpie.

Në fjalimin e tij gjatë protestës, Sali Berisha, sipas Sky TG24, përdori tone shumë të ashpra ndaj kryeministrit Rama, duke e cilësuar atë si “një kufomë politike” dhe duke deklaruar se opozita nuk do të tërhiqet “deri në fitore”. Ai akuzoi qeverinë për vendosjen e një regjimi që, sipas tij, nuk mund të largohet përmes zgjedhjeve të lira.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related