Analisti Arben Meçe deklaroi se primaret e Partisë Demokratike janë një proces pa të ardhme, ndërsa figurat politike po largohen në mënyrë paqësore si shenjë proteste ndaj Sali Berishës. Sipas tij, PD funksionon si një parti e kryetarit dhe Berisha po spastron terrenin nga eksponentët e pabindur për të krijuar një strukturë besnike rreth tij.
“Ata e kanë kuptuar që është e kotë të marrin pjesë në një proces demagogjik dhe po largohen me qetësi. E dinë që janë të përjashtuar, por nuk duan të prodhojnë konflikt brenda PD-së. Berisha po ndërton një grupim besnik, që nuk lidhet me fitoren në zgjedhje, por me luftën e tij të mëtejshme politike,” u shpreh Meçe.
Ai shtoi se këto lëvizje po krijojnë pakënaqësi, por demokratët e dinë se konfrontimi me Berishën është i kotë. “Primaret janë një fasadë, ndërsa vendimmarrja e vërtetë mbetet autoritare,” tha ai.
