Qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë drejt Malit të Zi është bllokuar në pikën kufitare të Hani i Hotit, si pasojë e një proteste të nisur nga Shoqata e Kamionistëve të Republikës së Malit të Zi.
Protesta, e cila është paralajmëruar të zgjasë 72 orë, ka nisur më 14 prill 2026, rreth orës 09:30, duke sjellë ndërprerjen e përkohshme të lëvizjes së kamionëve nga Shqipëria drejt Malit të Zi.
Sipas autoriteteve, në zonën e doganës ndodhen disa mjete të rënda që presin për të kaluar kufirin, por deri më tani nuk raportohet për radhë të gjata apo situatë të rënduar në qarkullim.
Për arsye sigurie dhe për të shmangur bllokime të mundshme në rrugë, është vendosur që gjatë kësaj periudhe të mos lejohet kalimi i kamionëve, ndërsa vijon normalisht lëvizja e automjeteve të vogla, autobusëve, mjeteve të emergjencës dhe transportit të pasagjerëve.
Ndërkohë, ende nuk është bërë e ditur zyrtarisht arsyeja e kësaj proteste, megjithëse kujtohet se në muajt e fundit shoqatat e transportit në rajon kanë shprehur pakënaqësi lidhur me rregullat e reja të hyrje-daljes në zonën Shengen.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të rënda të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të shmangin lëvizjet drejt kufirit deri në normalizimin e situatës.
