Netanjahu sinjalizon hapje ndaj Damaskut: “Një zonë neutrale mund të sjellë stabilitet të qëndrueshëm”

Data

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu deklaroi të martën se shikon mundësi reale për një marrëveshje të re sigurie me Sirinë, e cila do të përfshinte krijimin e një zone neutrale dhe të çmilitarizuar që shtrihet nga Damasku deri në malin Hermon. Sipas tij, një hap i tillë do të mund të hapte një fazë të re në marrëdhëniet e tensionuara mes dy vendeve.

Deklarata e Netanyahut vjen pas komenteve të presidentit amerikan Donald Trump, administrata e të cilit po ndërmjetëson në mënyrë aktive një marrëveshje mos-sulmi mes Izraelit dhe Sirisë. Trump ka theksuar se ruajtja e një “dialogu të fortë dhe realist” midis Tel Avivit dhe Damaskut është thelbësore për stabilitetin rajonal.

Siria, që ende nuk e njeh Izraelin si shtet, ka pësuar humbje territoriale ndaj tij që nga dhjetori i vitit 2024. Izraeli vijon të kontrollojë Lartësitë Golan, të cilat i mori në luftën e vitit 1967 dhe i aneksoi më vonë—një vendim i njohur vetëm nga Shtetet e Bashkuara.

Gjatë një vizite tek ushtarët e plagosur në Izrael, Netanjahu tha se zona e propozuar neutrale duhet të përfshijë edhe aksin drejt majës Hermon, duke nënvizuar se aktualisht Izraeli ruan këto hapësira për sigurinë e qytetarëve të tij. Ai shtoi se me “vullnet të mirë dhe me respektimin e parimeve bazë të Izraelit”, një marrëveshje është e mundur, megjithëse vendi i tij “nuk do të heqë dorë nga parimet në asnjë rrethanë”.

Ndërkohë, Uashingtoni mbështet liderin e ri sirian, Ahmed al-Sarra, megjithëse në Izrael ekzistojnë dyshime lidhur me të kaluarën e tij dhe lidhjet e mundshme me grupe ekstremiste. Pavarësisht rezervave, Tel Avivi thotë se mbetet i angazhuar në përpjekjet diplomatike.

Tensionet në terren vazhdojnë të jenë të larta. Mediat shtetërore siriane raportuan se 13 persona humbën jetën të premten në një sulm ajror izraelit në jug të vendit. Ushtria izraelite njoftoi se kishte goditur një celulë militante të një organizate islamiste të bazuar në Liban. Po atë ditë, Netanjahu vizitoi ushtarët e plagosur në përplasjet e fundit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related