Presidenti amerikan Donald Trump ashpërsoi ndjeshëm retorikën kundër rrjeteve të trafikut të drogës në Amerikën Latine, duke deklaruar të martën se Shtetet e Bashkuara janë gati të nisin së shpejti sulme ndaj objektivave brenda territorit të Venezuelës. Komentet shënojnë një fazë të re të mundshme të politikës amerikane ndaj Caracas-it, e cila mund të përfshijë për herë të parë operacione tokësore.
“Do të fillojmë t’i kryejmë këto goditje edhe në tokë,” tha Trump gjatë një mbledhjeje të kabinetit në Uashington. Ai shtoi se inteligjenca amerikane ka identifikuar vendndodhjet e grupeve kriminale dhe se veprimet “janë vetëm çështje kohe”.
Presidenti akuzoi rrjetet e trafikut se “kanë vrarë mbi 200.000 njerëz vitin e kaluar”, ndërsa premtoi një fushatë të pakompromis ndaj tyre. “Do t’i shkatërrojmë këta banditë,” deklaroi ai.
Kolumbia në fokus të mundshëm të operacioneve
Përveç Venezuelës, Trump përmendi edhe Kolumbinë si territor ku SHBA mund të ndërhyjë, pavarësisht marrëdhënieve të përmirësuara mes dy vendeve.
“Ata prodhojnë kokainë dhe e shesin në SHBA. Ndaj, ndërhyrjet mund të ndodhin edhe në territorin e tyre,” tha ai, duke sinjalizuar se fushata amerikane mund të zgjerohet rajonalisht.
Raportimet e inteligjencës dhe kritikat ndaj Pentagonit
Sipas CNN, presidenti ka disa javë që po shqyrton skenarët e goditjeve direkte brenda Venezuelës. Deklaratat e fundit përputhen me ato që ai bëri në bisedën me trupat amerikane në Ditën e Falënderimeve, ku paralajmëroi se operacionet tokësore pritet të nisin “shumë shpejt”.
Ndërkohë, Departamenti i Mbrojtjes po përballet me kritika të forta pas lajmeve se Pentagoni kreu dy goditje ndaj të njëjtit skaf, pasi sulmi i parë nuk eliminoi të gjithë personat në bord. Ky incident ka shtuar presionin mbi strategjinë e re kundër trafikut të drogës.
Trump: “Çdokush që shet drogë në SHBA është objektiv”
Edhe në mes të kritikave, Trump u tregua i vendosur për të mbrojtur qasjen e tij agresive.
“Kushdo që shet drogë në vendin tonë bëhet objektiv goditjeje,” u shpreh ai, duke i quajtur operacionet ushtarake një domosdoshmëri për të frenuar fluksin e substancave të paligjshme drejt SHBA-së.
