Avokati Mirash Martini: “Kushtetuta nuk e mbron Ballukun nga pezullimi – deklarata për prishje të balancës së pushteteve, jashtë realitetit”

Data

Avokati Mirash Martini, i ftuar në emisionin “Studio24”, komentoi sot dërgimin e çështjes së pezullimit nga detyra të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku në Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se ky hap nuk lidhet me asnjë shkelje të Kushtetutës. Sipas tij, ligji themelor i shtetit nuk parashikon mbrojtje për funksionarët e lartë në rastet e pezullimit, ndaj çështja duhet trajtuar thjesht mbi bazën e procedurës penale.

“Kushtetuta e përcakton qartësisht fushën e mbrojtjes së deputetëve. Ajo i mbron ata vetëm nga arrestimi dhe kontrolli i banesës. Pezullimi nga detyra nuk është i përfshirë,” sqaroi Martini. Ai theksoi se për masat e tjera të sigurimit, përfshirë pezullimin, referenca e vetme ligjore është Kodi i Procedurës Penale.

Martini kundër deklaratave të Ramës: “Presion ndaj drejtësisë”

Në analizën e tij, avokati u ndal edhe te reagimi i kryeministrit Edi Rama, i cili deklaroi se vendimi i Gjykatës së Posaçme për pezullimin e Ballukut përbën cenim të balancës së pushteteve. Martini e quajti këtë qëndrim të papranueshëm dhe të shkëputur nga realiteti juridik.

“Të thuash se është prishur balanca e pushteteve është jashtë realitetit. Këto janë çështje që trajtohen në Kodin e Procedurës Penale, jo në Kushtetutë dhe jo nga ekzekutivi,” u shpreh ai.

Avokati shtoi se reagimet politike të kësaj natyre përbëjnë presion ndaj sistemit gjyqësor:

“S’ka drejtësi nëse gjyqësori nuk është i mbrojtur nga ndikimet politike. Ndërhyrja e kryeministrit ishte brutale dhe e pajustifikueshme,” deklaroi Martini.

Çështja Balluku mbetet në fokus të debatit publik

Rasti i pezullimit të Ballukut nga detyra ka hapur një debat të gjerë publik mbi kufijtë e ndërhyrjes së Gjykatës së Posaçme dhe rolin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas ekspertëve, vendimi i Kushtetueses do të shërbejë si precedent i rëndësishëm për trajtimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related