Prokuroria e Posaçme ka nisur marrjen në pyetje të të gjithë personave që kanë financuar Kuvendin e Rithemelimit të Partisë Demokratike, i zhvilluar në dhjetor të vitit 2021.
Burime bëjnë me dije se hetimi lidhet me financimet e këtij aktiviteti, të cilat po shqyrtohen si një fraksion i veçantë i hetimit pasuror, i hapur pas dërgimit të dosjes “Partizani” në Gjykatën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku janë tetë persona të akuzuar, mes tyre edhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Në këtë kuadër, në SPAK është marrë në pyetje Indrit Hoxha, anëtar i kryesisë së PD-së, i cili është thirrur si deklarues dhe si donator i Kuvendit të Rithemelimit. Një ditë më parë, për të njëjtën çështje është pyetur edhe deputeti Belind Këlliçi.
Deri në këtë fazë të hetimit, katër financues të Kuvendit janë marrë në pyetje nga SPAK. Dëshmitari i radhës, Hoxha, ka ruajtur sekretin hetimor, por ka deklaruar publikisht se hetimet pasurore duhet të kryhen për çdo person të përfshirë në politikë, pa përjashtim.
Hetimet vijojnë për të zbardhur burimin e fondeve dhe ligjshmërinë e financimeve të aktivitetit politik.
