Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka reaguar pas lajmeve për transferimin e Drejtorisë Vendore të Kadastrës nga Vlora në Tiranë, duke garantuar se ky proces nuk do të ndikojë në shërbimet për qytetarët.
Sipas ASHK-së, procesi i riorganizimit dhe transferimit të disa drejtorive vendore ka nisur që në vitin 2021 dhe synon optimizimin e burimeve njerëzore, përshpejtimin e trajtimit të dosjeve dhe unifikimin e praktikave të punës në nivel kombëtar.
Agjencia sqaron se aplikimet për shërbimet kadastrale kryhen online përmes portalit e-Albania, ndërsa shërbimet ofrohen në mënyrë elektronike, drejtpërdrejt në profilin e qytetarit. Dokumentacioni i nevojshëm, përveç ngarkimit në sistem, dërgohet edhe përmes Postës Shqiptare pranë drejtorisë përkatëse, pavarësisht vendndodhjes fizike të saj.
ASHK thekson se tashmë disa drejtori vendore si ato të Durrësit, Krujës, Shkodrës, Kavajës, Kamzë–Vorë dhe Vlorës janë përfshirë në këtë model organizimi, i cili synon rritjen e efikasitetit administrativ dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve.
Sipas njoftimit zyrtar, zhvendosja e pjesës së mbetur të punonjësve nga Vlora në Tiranë bëhet në kuadër të këtij riorganizimi dhe nuk cenon aksesin apo trajtimin e kërkesave të qytetarëve.
