Policia ka arrestuar dy shtetas të dyshuar për organizimin e transportimit të emigrantëve me qëllim kalimin e paligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Në pranga kanë rënë Arlen Coku, 38 vjeç, banues në Tiranë dhe Endrit Tota, 35 vjeç, banues në Kukës. Arrestimi i tyre u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Relay 4”, pas disa javësh hetimesh me metoda speciale.
Gjatë operacionit, në aksin rrugor “Tiranë–Durrës”, u ndalua automjeti që drejtohej nga 38-vjeçari, ku ndodheshin edhe katër emigrantë. Sipas hetimeve, ata po transportoheshin drejt Kukësit, me qëllim që më pas të ndihmoheshin për të kaluar ilegalisht kufirin drejt shteteve të BE-së.
Policia sekuestroi automjetin e përdorur për transportin si dhe dy telefona celularë, të cilët do të shërbejnë si prova materiale.
Në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i janë referuar organit të akuzës për veprime të mëtejshme ligjore.
