Bllokimi i qarkullimit në një pjesë të rrugëve të Tiranës do të vijojë edhe ditën e sotme (e premte), për shkak të zhvillimit të samitit të Komunitetit Politik Europian (KPE) që do të mbahet tek sheshi “Skënderbej”.
Por, ndryshe nga dje, sot do të ketë edhe rrugë të bllokuara për këmbësorët, duke bërë që një pjesë e banorëve të kryeqytetit të “ngujohen” në banesat e tyre. Bëhet fjalë për të gjitha perimetrin e sigurisë, i cili përfshin sheshin “Skënderbej” dhe të gjitha rrugët për rreth tij, të cilat do të jenë të pa aksesueshme edhe nga këmbësorët.
Gjithashtu, në rrugë të caktuara të kryeqytetit, do të ndalohet edhe parkimi dhe qëndrimi i mjeteve përgjatë ditës së sotme, teksa do të jenë të paaksesueshme edhe parkimet nëntokësore te sheshi “Skenderbej”, Hotel “Plaza”, Hotel “Tirana”, Godina “Torre Drini”, Qendra Tregtare “Toptani”, Kulla “Green Tower”.
Sipas Policisë, bllokimi i rrugëve për largimin e delegacioneve është deri në orën 18:00 por axhenda mund të shtyjë me tej kohën e bllokimit, pasi konferenca e përbashkët e liderëve europianë pritet të jetë në orën 18:30.
Gjithashtu, vlen të theksohet fakti se edhe Partia Demokratike ka thirrur një protestë sot në Tiranë, për atë që e konsideron si masakra zgjedhore, teksa tubimi pritet të nisë në orën 17:00 te Bulevardi “Zogu i Parë”, më konkretisht tek kryqëzimi me rrugën Fortuzi, te Ministria e Drejtësisë.

