Një aksident tragjik rrugor ka ndodhur në provincën Antalya, në jug të Turqisë, ku një autobus pasagjerësh ka dalë nga rruga, duke shkaktuar humbjen e jetës së tetë personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve.
Ngjarja e rëndë u regjistrua të dielën në zonën Dosemealti, në veriperëndim të qendrës së qytetit të Antalyas. Pamjet e transmetuara nga televizioni shtetëror tregojnë autobusin të përmbysur jashtë rrugës, ndërsa forcat e emergjencës kanë ndërhyrë menjëherë për nxjerrjen e të lënduarve.
Guvernatori i provincës bëri me dije se 26 persona kanë mbetur të plagosur, disa prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike dhe po marrin trajtim mjekësor në spitalet e zonës. Sipas autoriteteve, përplasja ka qenë e fortë, ndërsa disa pasagjerë janë hedhur jashtë automjetit në momentin e aksidentit.
Autobusi po udhëtonte gjatë natës nga Tekirdag, në veriperëndim të Turqisë, drejt Antalyas, kur ndodhi aksidenti fatal. Hetimet paraprake sugjerojnë se kushtet e vështira atmosferike mund të kenë ndikuar në humbjen e kontrollit të mjetit, megjithatë shkaqet e sakta pritet të sqarohen nga autoritetet përkatëse.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Turqi, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
