Mes dhimbjes dhe lotëve, sot në mesditë do t’i jepet lamtumira e fundit Vikena Grekut, 18-vjeçares që humbi jetën në aksidentin tragjik të ndodhur natën e së enjtes pranë Urës së Dajlanit, në Durrës. Vajza e re do të përcillet për në banesën e fundit në fshatin Dyshnik të Beratit.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit që shkaktoi aksidentin fatal, Arbër Xhaxhhaj nga Fieri, pritet të dalë sot para Gjykatës së Durrësit për vlerësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë. Sipas të dhënave paraprake, ai po drejtonte automjetin tip BMW X5 në gjendje të dehur dhe me shpejtësi të lartë, në aksin Tiranë–Durrës.
Si pasojë e humbjes së kontrollit, mjeti ka thyer barrierat mbrojtëse të rrugës dhe ka përfunduar disa metra më tej, në një zonë ku tregtoheshin lule. Përplasja rezultoi fatale për 18-vjeçaren, ndërsa drejtuesi i mjetit dhe dy këmbësorë u plagosën lehtë.
Shoferi është shoqëruar i prangosur në gjendje të rënduar psikologjike dhe ndaj tij pritet të merren vendime të rëndësishme nga gjykata, ndërsa ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka rihapur debatin mbi drejtimin e mjetit nën efektin e alkoolit.
