Mes kaosit në Kuvend, nis mandati i ri – Endrit Shabani merr zyrtarisht detyrën si Avokat i Popullit

Data

Endrit Shabani ka marrë zyrtarisht detyrën si Avokat i Popullit, një ditë pas betimit të tij në Kuvendin e Shqipërisë, i zhvilluar mes tensioneve dhe kaosit parlamentar. Sot, më 19 dhjetor, u realizua prezantimi formal i kreut të ri të institucionit përpara administratës dhe stafit, duke shënuar nisjen e mandatit të tij.

Ceremonia e marrjes së detyrës u zhvillua në përputhje me procedurat kushtetuese dhe parimin e vijimësisë institucionale. Me këtë akt, Shabani zëvendëson në detyrë drejtuesen e mëparshme, e cila e kishte ushtruar funksionin për tetë vite dhe kishte vijuar punën edhe pas përfundimit të afatit kushtetues.

Betimi i Avokatit të ri të Popullit u zhvillua një ditë më parë në Kuvend, në një seancë të shoqëruar me tensione të forta politike. Opozita kishte bllokuar sallën parlamentare, duke penguar zhvillimin normal të punimeve, ndërsa ceremonia u krye në një atmosferë kaotike. Pas betimit, Shabani u largua nga salla mes reagimeve të forta dhe përshëndeti deputetët e opozitës.

Kandidatura e tij ishte propozuar fillimisht me firmat e deputetëve të opozitës, të cilët më pas kërkuan tërheqjen e mbështetjes. Megjithatë, kjo kërkesë nuk u pranua dhe zgjedhja e tij u miratua me votat e mazhorancës.

Me marrjen zyrtare të detyrës, Endrit Shabani pritet të drejtojë institucionin e Avokatit të Popullit në një periudhë të ndjeshme politike, ku pritshmëritë për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe forcimin e rolit të institucionit janë të larta.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related