Kreu i mazhorancës, Edi Rama, u bën thirrje shqiptarëve që të anëtarësohen në familjen socialiste.
Rama nëpërmjet një postimi në “Facebook” shprehet se kushdo që zgjedh Partinë Socialiste, do të përfshihet edhe në ripërtëritjen e familjes më të madhe politike. Rama ndau dje edhe kartën e re të anëtarësimit në PS dhe “Shqipëria 2030”.
“Me kartën e re të anëtarësimit në Partinë Socialiste, si edhe me ftesën që kush zgjedh PS të përfshihet edhe në ripërtëritjen e familjes më të madhe politike të shqiptarëve, duke u bërë pjesë e saj për ta bërë këtë vend krenarinë tonë më të madhe”, shkruan Rama në “Facebook”.
Sipas Ramës, qëllimi i anëtarësimit në PSsë është ripërtëritja e familjes së madhe politike të të gjithë shqiptarëve, duke u bërë pjesë e saj për ta bërë këtë vend krenarinë tonë më të madhe. Gjatë një takimi të dielën me strukturat e PS në Balldren të Lezhës, Rama deklaroi se Partia Socialiste duhet të provojë që është e hapur për të gjithë.
“Partia Socialiste ka një përgjegjësi të madhe historike mendoj unë, sot që flasim, sepse gjithë këtë progres që është bërë, i cili është një progres që duhet të vazhdojë, duhet ta garantojë dhe ta bëjë të pakthyeshëm në drejtësi, në ekonomi, në pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë”, është shprehur Rama.
Kreu i socialistëve para pak ditësh zbriti vetë në terren dhe nisi turin e takimeve me organizatat e PS në të gjithë Shqipërinë për t’u përgatitur për zgjedhjet e 2025. Në fokus të këtyre takimeve është procesi i rienergjizimit të PS-së, porosi të cilën Rama e la me prioritet për drejtuesit e qarqeve në mbledhjen e Asamblesë së 21 shkurtit, duke kërkuar anëtarësime të reja.
Duke u ndalur te procesi i rienergjizimit të PS-së, Edi Rama nënvizoi tri ditë më parë se vetëpërmirësimi i forcës që ai drejton mbetet një detyrim në kushtet kur nuk ka konkurrencë politike nga ana e opozitës.
Rama shpërndau në mënyre simbolike dhe disa karta anëtarësimi dhe kërkoi nga forumet e kësaj dege që të provojnë çdo ditë që Partia Socialiste është e hapur për të gjithë. Në fjalën e tij përpara të pranishmëve të PS-së, kryesocialisti e vuri theksin te hapja e partisë.
“Partia Socialiste duhet të provojë që është e hapur për të gjithë. Përgjegjësia e PS – nënvizoi Rama – është që ta bëjë të pakthyeshëm progresin e bërë në drejtësi, në rang ndërkombëtar apo në ekonomi. PS ka një përgjegjësi të madhe historike mendoj unë, sot që flasim, sepse gjithë këtë progres që është bërë, i cili është një progres që duhet të vazhdojë, duhet ta garantojë dhe ta bëjë të pakthyeshëm në drejtësi, në ekonomi, në pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë. Për çfarë e bëjmë ne këtë proces?”, – deklaroi Rama.
