Trafik droge drejt Italisë dhe grup i strukturuar kriminal, GJKKO dënon me 27 vite burg Moisi Habilajn dhe Nezar Seitin

Data

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur fajtorë Moisi Habilajn dhe Nezar Seitin për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal, duke i dënuar në total me 27 vite burg.

Moisi Habilaj u gjet fajtor për katër episode të trafikimit të drogës gjatë viteve 2013–2017 në Shqipëri dhe Itali. Për këto vepra, ai u dënua fillimisht me 15 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 10 vite burgim. Gjykata vendosi që dënimi të vuhet në një burg të sigurisë së lartë.

Ndërkohë, Nezar Seiti u shpall fajtor për trafikim të lëndëve narkotike në katër episode drejt Italisë dhe u dënua me 12 vite burg. Edhe në rastin e tij, për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar u reduktua në 8 vite burg. Çështja për veprën penale të “grupit të strukturuar kriminal” ndaj Seitit u pushua, pasi ai ishte dënuar më herët për të njëjtën akuzë.

Gjykata vendosi gjithashtu pushimin e çështjes për Fatmir Minaj dhe Meridian Sulaj, të cilët rezultojnë të dënuar më parë për të njëjtat vepra penale.

Vendimi u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtaret Elsa Ulliri, Rudina Palloj dhe Luljeta Kole, duke i dhënë fund një prej dosjeve më të rëndësishme të trafikut ndërkombëtar të drogës drejt Italisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related