“Mbështesim prodhimet Made in Albania”, Rama: Markë cilësie dhe pasaportë për në BE

Data

Platforma kombëtare “ExportON”, e prezantuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, synon të krijojë një hapësirë të përbashkët dialogu mes shtetit dhe sipërmarrjes, duke vendosur eksportet në qendër të zhvillimit ekonomik të vendit.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili theksoi rëndësinë e fuqizimit të produkteve vendase “Made in Albania” si instrument për rritjen e eksporteve dhe afrimin me tregun europian.

Sipas Ramës, “Made in Albania” duhet të shihet si një markë cilësie dhe një pasaportë reale për Bashkimin Europian. Ai nënvizoi se shteti do të mbështesë fuqimisht sipërmarrjet që synojnë certifikime ndërkombëtare dhe standarde të BE-së, duke u larguar nga konkurrenca e bazuar vetëm te çmimi i ulët dhe duke u fokusuar te vlera e shtuar dhe cilësia.

Kryeministri theksoi se mbështetja për certifikimet ndërkombëtare dhe mbrojtjen e pronësisë intelektuale të produkteve shqiptare shihet si një investim strategjik i shtetit, që ndihmon bizneset të integrohen më shpejt në tregjet europiane.

Rama vuri theksin edhe te zhvillimi i manifakturës dhe transformimi i prodhimit vendas, duke theksuar se shteti duhet të ndihmojë më shumë sipërmarrjet që krijojnë vlerë të shtuar dhe përfaqësojnë një model të ri ekonomik.

Në fjalën e tij, ai u ndal edhe te bujqësia dhe agro-përpunimi, duke theksuar se sa më shumë lëndë e parë të përpunohet brenda vendit, aq më shumë vlerë ekonomike do të mbetet në Shqipëri. Sipas tij, vendi ka nevojë për një rrjet të konsoliduar grumbullimi me standarde të larta, në mënyrë që produktet bujqësore të jenë konkurruese në tregjet e huaja.

Kryeministri theksoi gjithashtu nevojën për uljen e burokracisë dhe kostove për eksportuesit, përmes digjitalizimit të doganave dhe procedurave administrative. Ai pranoi se, megjithëse janë vendosur instrumente të reja financiare për të ulur riskun e ndërmarrjeve eksportuese përballë bankave tregtare, thithja e këtyre fondeve mbetet e ulët dhe kërkon adresim më të mirë nga institucionet.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related