Trafik armësh nga Mali i Zi drejt Tiranës, arrestohen dy të rinj dhe sekuestrohen 6 pistoleta në zonën e Freskut

Data

Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në trafikimin dhe shitjen e armëve të zjarrit.

Gjatë operacionit policor të koduar “Rotondo”, u sekuestruan 6 pistoleta të markës “Sig Sauer”, të cilat dyshohet se ishin trafikuar nga Mali i Zi me qëllim shitjen në kryeqytet, kryesisht në zonën e Freskut.

Në pranga ranë Donati Jaku, 31 vjeç, banues në Shkodër, dhe Florian Gjeta, 22 vjeç, banues në fshatin Domje.

Sipas policisë, pas një hetimi dymujor të kryer me metoda proaktive dhe në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, shërbimet e Komisariatit të Policisë nr. 4 në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale ndaluan automjetin tip “Volkswagen” në vendin e quajtur “Rrethi i Freskut”.

Gjatë kontrollit në automjet, që drejtohej nga 22-vjeçari Gjeta dhe ku pasagjer ishte Jaku, u gjetën dhe u sekuestruan 6 armë zjarri pistoleta, të cilat dyshohet se ishin trafikuar për t’u shitur në këtë zonë.

Policia sekuestroi gjithashtu automjetin dhe katër telefona celularë që dyshohet se përdoreshin për aktivitetin kriminal.

Në vijim të hetimeve është identifikuar dhe shpallur në kërkim edhe një bashkëpunëtor i dyshuar i të arrestuarve, shtetasi me iniciale E.S.

Autoritetet po vijojnë punën për kapjen e tij dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related