Prokuroria e Posaçme i ka lejuar kryebashkiakut Erion Veliaj edhe takime të tjera përveçse atyre me familjarët. Veliaj do të mund të zhvillojë takime për punë edhe me vartësit e tij. Kërkesa për takime pune me kryebashkiakun e Tiranës është dorëzuar nga dy drejtorët Alban Dokushi dhe Sara Goxhaj, sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha.
Anëtarë të grupit të hetimit pohuan jo zyrtarisht se pasi kërkesa për takime pune të aprovohet dhe firmoset, do t’i njoftohet drejtorisë së përgjithshme të burgjeve që duhet ta përcjellë autorizimin në burgun e Durrësit ku ndodhet Erjon Veliaj prej datës 12 shkurt. Apelimi i avokatit të tij dërguar përmes postës dhe sipas gazetares, ka mbërritur ditën e djeshme në gjykatë dhe pritet që të hidhet shorti për të caktuar se kush do të jetë gjyqtari që do të shqyrtojë kërkesën.
Erion Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa është lënë në masë sigurimi “detyrim paraqitje”.
