Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nisur hetimet për prishjen e Teatrit Kombëtar, ngjarje kjo e regjistruar në orët e para të 17 Majit të vitit 2020.
Përmes një dokumenti që po qarkullon në media, (kthim përgjigje nga SPAK me datën 8 Gusht), vihet re se hetimet kanë nisur mbi bazën e kallëzimit të bërë nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kundër Erion Veliajt.
Bëhet fjalë për procedimin penal nr.29 të vitit 2020, ku Veliaj akuzohet për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Hetimet janë ende në fazën paraprake, teksa prokurorja e SPAK që e ka marrë në dorë këtë çështje është Dorina Bejko.

Ndërkohë që SPAK ka nisur hetimet kundër Veliajt në lidhje me këtë çështjke, disa ditë më parë, ky i fundit shpërndau në media “kasetën” propaganduese ku shfaqej me disa aktorë pro tij dhe lajmëronte se pas 4 vitesh në territorin e Teatrit Kombëtar kishin nisur punimet për ndërtimin e një parkimi nëntokësor.
Teksa shkel vit për vit premtimin për ndërtimin e Teatrit të ri, projekt i kundlrshtuar nga artistët, Veliaj arsyetonte se me lekët që do të nxirrte prej parkimit, do t’ua jepte artistëve, duke patur më shumë të ardhura për ta për projekte të reja.
