Industrisë së prodhimit të armatimeve ushtarake në vend do t’i hapet rruga për një prodhim masiv të armëve. Lajmin e bën të ditur Ministria e Mbrojtjes, ku ka parashikuar lehtësira tatimore dhe administrative me qëllim nxitjen e investimit nga ana e kompanive.
Në Fletoren Zyrtare është botuar ligji për rregullimin e prodhimit, zhvillimit të armëve e municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake dhe si kërkimit e tregtimit, mirëpërcaktim të rregullave të zhvillimit të industrisë ushtarake dhe funksionimit të Agjenësisë së Industrisë së Mbrojtjes Përveç lehtësive tatimore, ligji parashikon edhe ato administrative, të tilla si procedura të përshpejtuara për licencimin dhe regjistrimin e veprimtarisë.
Për këto kompani do të ketë mbështetje për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës ndihmëse, si: rrugë, ujësjellësa, kanalizime, energji elektrike dhe telekomunikacion, të cilat janë thelbësore për funksionimin e aktivitetit të subjektit, si dhe qasje në fonde dhe programe mbështetëse për kërkim dhe zhvillim në fushën e teknologjive të mbrojtjes.
Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes është autoriteti përgjegjës për marrjen e masave administrative në rast se konstatohen shkelje nga kompanitë e prodhimit të armëve. Për të gjitha kompanitë që përfshihen në testimin e armatimit ushtarak ose aktivitetet e specializuara pa miratim nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes, parashikohen gjoba nga 5 milionë deri në 50 milionë lekë.
