Ashtu si u ngrit edhe vijoi punimet. Pa transparencë, pa gjithëpërfshirje dhe pa legjitimitet përfaqësues. Bëhet fjalë për komisionin parlamentar të ngritur kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja në proceset demokratike. Në përfundim të sesionit parlamentar, këtij komisioni i mungon përfaqësimi i partisë më të madhe opozitare në vend, si dhe një fushë veprimi e qartë dhe e gjithëpranuar.
Parlamenti mbylli zyrtarisht punën e tij në 25 korrik përpara pushimeve verore, për t’u rimbledhur në shtator. Një nga zhvillimet e këtij sesioni që u “dënua” ta kalojë të nxehtën e gushtit në paqartësi është komisioni për të dezinformimin. Në mungesë të përfaqësimit të partisë opozitare më të madhe në vend, asaj Demokratike, dhe pavarësisht thirrjeve të SHBA-së dhe BE-së për konsultime të gjera dhe gjithpërfshirje, mazhoranca socialiste vijoi rrugën pa kthyer kokën pas.
Dy ditë përpara mbylljes së punës së kuvendit, në 22 Korrik, komisioni parlamentar për dezinformimin ftoi shoqërinë civile të japë komentet e saj për draft-objektivat e vendosura nga ky komision. Mjaft ironikisht, në ftesë komisioni pretendon se veprimtaria e tij mbështetet në dy parime të rëndësishme, githëpërfshirja dhe transparenca, gjë që në fakt mungon plotësisht.
Fillesa “në errësirë” e komisionit
Prej fillimit kjo nismë parlamentare u themelua në mungesë të transparencës dhe proceseve gjithëpërfshirëse, shqetësim ky i ngritur vazhdimisht nga opozita parlamentare dhe shoqëria civile. Ngritja e komisionit u miratua vetëm me votat e socialistëve, pa pasur një fushë veprimi dhe qëllim të mirëpërcaktuar.
