Ndërtoi kate pa leje me vlerë 3.5 mln euro, dosja “Salillari” kalon për gjykim

Data

Gjykata e Tiranës ka vendosur të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të kompanisë “Salillari”, dhe ish-administratorit të saj, Lulzim Salillari, njëkohësisht edhe vëllai i pronarit të shoqërisë, Pëllumb Salillarit, të akuzuar për “ndërtim të paligjshëm me qëllim përfitimi”.

Gjyqtarja paraprake pranoi pak ditë më parë kërkesën e prokurorit të çështjes, Arens Çela. Kërkesa për gjykim ishte dorëzuar në Shkurt të këtij viti. Por, pas shtyrjes së disa seancave, gjykata vendosi në mes të Nëntorit 2024 që çështjen ta kalojë për shqyrtim në themel.

Kompania “Salillari” dhe drejtuesit e saj akuzohen se kanë ndërtuar disa kate pa leje në një godinë pranë Kopshtit Botanik, në zonën e Farkës në Tiranë, me një sipërfaqe totale prej rreth 2500 metra katrorë.

Kjo sipërfaqe, referuar çmimeve të tregut në atë zonë, vlerësohet në rreth 3.5 milionë euro.

Katet pa leje

Të dhënat hetimore, të siguruara nga “Boldnews.al” dëshmojnë se institucionet që kontrollojnë paligjshmërinë në terren, përfshirë Policinë e Shtetit dhe Inspektoratin Ndërtimor të Bashkisë së Tiranës, deri në Korrik 2022 nuk kishin konstatuar se kompania “Salillari” kishte ndërtuar dy kate tërësisht pa leje.

Kryeministri Edi Rama, biznesmeni Pëllumb Salillari dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj

Kontrolli, fillimisht ai policor dhe më tej i Inspektorati Ndërtimor të Erion Veliajt, konfirmuan pretendimet e banorëve të metër, të cilëve po u merrej fryma nga katet shtesë të Salillarit.

U konstatua se “Salillari” shpk kishte shtuar dy kate në një godinë, për të cilën ishte pajisur me leje ndërtimi nga Veliaj vetëm për 6 kate.

Gjithashtu, u zbulua se kompania e ndërtimit kishte shtuar në mënyrë të paligjshme edhe sipërfaqe ndërtimore në katet më të ulta të godinës.

Në total u zbuluan plot 2444 metra katrorë pa leje. Referuar çmimeve të shitjes në atë zonë, të cilat variojnë nga 1300-1700 euro për metër katrorë banesë, kjo sipërfaqe pa leje përllogaritet nga 3.17 milionë euro deri në 4.15 milionë euro. Mesatarisht, vlera e saj përllogaritet në 3.5 milionë euro, në çmim shitjeje.

Pas konstatimit të kateve pa leje, Inspektorati Ndërtimor i Tiranës nxori tre konstatim shkeljeje, soqëruar me tre urdhëra gjobe, si edhe një vendim prishjeje, të gjitha të miratuara në gusht 2022.

Në vijim, u referua në Prokurorinë e Tiranës materialet për nisjen e hetimit për “Ndërtim të paligjshëm”.

(Nga e majta në të djathtë) Drejtuesi i Lartë i Policisë, Rebani Jaupi, ish-ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe Kryeinspektorja e Ndërtimit, Dallëndyshe Bici, në godinën me kate pa leje të Salillarit

Ndërkohë, që Prokuroria regjistroi procedimin penale, nisi të zbatohej një lloj “skenari”, nga ata që lëvizin larg syve të publikut dhe që, rëndom, shkon në favor të “oligarkëve të ndërtimit”.

Nën justifikimin e mungesës së mjeteve për prishjen e kateve shtesë, vendimi i kryeinspektorit ndërtimor të kohës, Mariglen Qato për prishjen e kateve shtesë, u vonua.

Kjo vonesë u pasua nga një vendim gjyqësor për pezullim prishjeje dhe, akoma më tej, ndërhyri me një lloj urgjence Këshilli i Rregullimit të Territorit (KRRT), i cili, bazuar në një Vendim të kontestuar të Këshillit të Ministrave, vendosi konfiskimin e kateve pa leje.

Megjithatë, fakti i kateve pa leje mbetet dhe është i pakundërshtueshëm.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related