Tensionet mes Stelinës dhe Kejsit kanë arritur kulmin brenda shtëpisë së Big Brother VIP Albania, ku përplasja e tyre u shndërrua në një debat të fortë me akuza të drejtpërdrejta për tradhti, gënjeshtra dhe mungesë sinqeriteti.
Dyshja, e njohur për publikun që nga lidhja e tyre në “Përputhen”, duket se po përballet me plagë të vjetra dhe xhelozi të pazgjidhura. Diskutimi shpërtheu kur Stelina akuzoi Kejsin se, gjatë një periudhe shumë të shkurtër ndarjeje, ishte afruar me një person tjetër, duke lënë të kuptohet se gjithçka kishte ndodhur pas krahëve të saj.
“Për kaq pak kohë që ne ishim të ndarë, ti lidhesh me të njëjtin person”, u shpreh Stelina, ndërsa Kejsi e mohoi kategorikisht, duke thënë se nuk kishte krijuar asnjë lidhje.
Debati u ashpërsua edhe më shumë kur Stelina ngriti dyshime për sjelljen e Kejsit me shoqet e tij. “Shoqet ti i puth, se ke problem?”, e pyeti ajo me tone të forta.
Nga ana e tij, Kejsi reagoi duke theksuar se nuk kishte detyrime për të dhënë llogari. “Çfarë bëj unë me jetën time është puna ime. Në momentin që ndahem nga dikush, nuk kam arsye t’i jap shpjegime askujt”, tha ai.
Por Stelina nuk u tërhoq, duke e akuzuar hapur për mashtrim: “Nuk po të kërkoj shpjegime për jetën tënde, por është e pamundur të quash marrëdhënie shoqërore faktin që puthesh në buzë me një person për të cilin dyshohesh. Kjo do të thotë se kjo gjë ka ndodhur më përpara. Ma ke punuar pas krahëve”.
Përplasja la të kuptohet se marrëdhënia mes tyre mbetet e mbushur me mosbesim dhe tension, ndërsa publiku po ndjek me vëmendje nëse kjo situatë do të çojë drejt një ndarje përfundimtare apo një përballjeje edhe më të fortë në ditët në vijim.
