Mbi 40 cm dëborë në Dibër/ Fshatra të izoluara, mungesë energjie elektrike dhe vështirësi në qarkullim

Data

Reshjet e dendura të dëborës kanë krijuar probleme serioze në disa zona të Qarkut Dibër, duke sjellë izolimin e fshatrave dhe ndërprerje të energjisë elektrike që prej ditës së djeshme.

Sipas të dhënave, trashësia e borës në njësitë administrative Lurë, Kala e Dodës, Selishtë dhe Muhurr ka kaluar mbi 40 centimetra, ndërsa në disa fshatra ende nuk është arritur të hapet qarkullimi rrugor. Bashkia Dibër dhe strukturat përkatëse janë në terren dhe po punojnë për pastrimin e akseve dhe lidhjen e zonave të izoluara.

Në qytetin e Peshkopisë, trashësia e borës arrin rreth 20 centimetra. Aksi rrugor Peshkopi–Kukës është i kalueshëm vetëm me zinxhirë dhe me vështirësi, ndërsa segmenti Ura e Çerenecit–Librazhd është aktualisht i pakalueshëm, me mjetet borëpastruese që po punojnë për hapjen e tij.

Rruga Peshkopi–Tiranë paraqitet e qarkullueshme pa zinxhirë, ndërkohë që në të gjithë qarkun vijon puna për pastrimin e rrugëve rurale dhe rikthimin e normalitetit.

Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve dhe drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të përdorin pajisje dimërore gjatë qarkullimit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related