Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka shprehur hapur zhgënjimin e tij nga tryeza e fundit e thirrur nga Partia Demokratike me faktorët opozitarë, duke e cilësuar atë si një takim formal, pa përmbajtje reale politike dhe me një frymë të thellë mosbesimi.
I ftuar në një studio televizive, Ndoka deklaroi se mungesa e besimit ndaj PD-së ishte evidente dhe se këtë shqetësim ia kishte thënë drejtpërdrejt edhe Sali Berishës. Sipas tij, problemi kryesor i opozitës nuk janë partitë e vogla, por mënyra se si PD ka vepruar në momente kyçe politike.
“Në atë tryezë kishte një frymë mosbesimi ekstreme. Ia thashë zotit Berisha ballë për ballë dhe ia përsërita sërish. E keqja e opozitës nuk janë partitë e vogla. Mosbesimi ndaj PD-së është shumë i madh, sepse në kulmin e protestave dhe të mosnjohjes së zgjedhjeve, PD shkoi dhe miratoi dy komisione”, u shpreh Ndoka.
Ai theksoi se situata u përkeqësua më tej kur u deklarua se PD nuk do të merrte pjesë as në ato komisione, duke e konsideruar këtë si një kontradiktë që dobëson opozitën përballë një qeverie që, sipas tij, manipulon proceset.
“Kemi marrë rreth 30 mijë vota dhe nuk jemi të përfaqësuar në Parlament. Nuk kërkojmë lëmoshë. Nëse do të kishte parim, koalicioni mund të ishte bërë që në vitin 2019, pa pasur nevojë për aleanca artificiale apo parti të majta”, tha Ndoka.
Duke folur për vetë tryezën, Ndoka e përshkroi atë si të mbingarkuar dhe pa fokus politik. “Ishte një takim formal, si ftesë në dasmë, por pa nuse dhe pa dhëndërr. Nuk prodhoi ndonjë rezultat konkret. Ishin rreth 70 persona dhe shumë prej tyre nuk arritën as të flisnin”, u shpreh ai.
Sipas Ndokës, mungoi një diskutim i strukturuar politik dhe një dokument përfundimtar. “Kur organizon një tryezë të atij dimensioni, duhet të kesh një draft dhe në fund të dalësh me një deklaratë politike. Kjo nuk ndodhi”, përfundoi ai.
