Policia e Lezhës ka arrestuar një 39-vjeçar, i identifikuar me inicialet A. A., i cili kishte thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe kishte vijuar përndjekjen ndaj ish-bashkëjetueses së tij.
Sipas policisë, ndaj 39-vjeçarit ishte vendosur më herët masa e arrestit në shtëpi pikërisht për veprën penale të përndjekjes, si dhe ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje në favor të ish-partneres. Pavarësisht kësaj, ai dyshohet se ka shkelur vendimin e gjykatës dhe ka vazhduar ta përndjekë atë.
Arrestimi u krye në ambientet e një lokali, pas kallëzimit të bërë nga ish-bashkëjetuesja, e cila raportoi rastin e radhës të përndjekjes. Pas denoncimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me specialistët e Mbështetjes Operacionale, organizuan një ndërhyrje të menjëhershme.
Gjatë kontrollit, në automjetin e 39-vjeçarit u gjet dhe u sekuestrua një shufër hekuri, si dhe celulari dhe automjeti i tij, të cilat do të përdoren si prova materiale në hetimin e mëtejshëm.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
