Tabaku nga Strasburgu: Zëri i protestuesve shqiptarë po dëgjohet në Parlamentin Europian

Data

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi nga Strasburgu se shqetësimet e ngritura nga qytetarët shqiptarë në protestat e fundit po diskutohen edhe në institucionet europiane, në kuadër të debatit për progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit.

Tabaku ndodhet në Parlamentin Europian së bashku me përfaqësues të tjerë të opozitës, ku po zhvillojnë takime me eurodeputetë dhe përfaqësues të grupeve politike për të diskutuar mbi zhvillimet politike dhe institucionale në vend.

Në një videomesazh të publikuar nga Strasburgu, ajo u shpreh se temat që kanë nxitur reagimin qytetar në Shqipëri nuk janë çështje të reja për Bashkimin Europian, por problematika të evidentuara prej vitesh në raportet e institucioneve europiane.

Sipas Tabakut, ligji për Investimet Strategjike, ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, korrupsioni, lufta kundër krimit të organizuar dhe mungesa e mundësive për të rinjtë janë ndër shqetësimet kryesore që vazhdojnë të adresohen nga partnerët europianë.

Ajo theksoi se Shqipëria duhet të forcojë shtetin e së drejtës, transparencën dhe institucionet demokratike, duke ndjekur standardet europiane dhe duke garantuar funksionimin e barabartë të ligjit për të gjithë qytetarët.

“Çështjet për të cilat protestuesit kanë mbushur rrugët e Tiranës janë po ato çështje që prej vitesh gjenden në raportet e Parlamentit Europian. Ligji i Investimeve Strategjike, Ligji i Zonave të Mbrojtura, korrupsioni, lufta kundër krimit të organizuar dhe mungesa e mundësive për të rinjtë janë njëkohësisht çështje të Shqipërisë dhe të Europës. Zëri i qytetarëve që protestojnë po sillet sot në Parlamentin Europian dhe do të jetë pjesë e debatit parlamentar për Shqipërinë”, u shpreh Tabaku.

Deputetja demokrate tha se qëllimi i këtyre takimeve është që shqetësimet e qytetarëve shqiptarë të pasqyrohen në diskutimet europiane dhe të kontribuojnë në forcimin e demokracisë, transparencës dhe shtetit ligjor në Shqipëri.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related