Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për babë e bir të përfshirë në konfliktin e ndodhur më 16 korrik në ambientet e Poliklinikës së Shkodrës, ku mbeti i plagosur një 32-vjeçar.
Gjatë seancës gjyqësore, të drejtuar nga gjyqtarja Arta Llazani, me prokuror Ndriçim Halilaj, gjykata vendosi të mos pranojë akuzën për “vrasje në tentativë”, duke vlerësuar provat e paraqitura deri në këtë fazë të hetimit.
Sipas informacionit të bërë publik, 18-vjeçari dhe babai i tij kanë shprehur pendesë për ngjarjen, duke deklaruar se konflikti ka ndodhur në rrethana të momentit. Gjithashtu, nga hetimet paraprake nuk është provuar se i riu ka mbajtur thikë gjatë përplasjes.
Me të njëjtën masë sigurie, “arrest shtëpie”, është lënë edhe Arben Kepëca, i cili po hetohet për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.
Sqarim: Hetimet për ngjarjen vijojnë. Personat e përfshirë prezumohen të pafajshëm deri në provimin e fajësisë me vendim gjyqësor të formës së prerë.
