Tërhiqet Etika pas presionit të PD-së: Shtyhet vendimi për përjashtimin e 29 deputetëve, opozita kërkon provat!

Data

Zhvillime të reja në betejën politike pas kaosit të ndodhur në Kuvend. Mbledhja e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, ku pritej të shqyrtohej kërkesa e Partisë Socialiste për përjashtimin e 29 deputetëve të Partisë Demokratike, është shtyrë për ditën e martë, në orën 10:00.

Shtyrja erdhi pas kundërshtimeve të forta nga deputetët e PD-së, të cilët kërkuan të njihen më parë me provat konkrete, duke pretenduar se po përjashtohen pa të drejtë dhe pa fakte. Vendimi për shtyrjen u mor pas kërkesës së Gazment Bardhit, i cili e cilësoi procesin si politik dhe të njëanshëm.

“Secili deputet që ka firmosur për pezullimin e mandateve për 60, 30 apo 10 ditë duhet të paraqesë fakte. Jo të vijë këtu dhe të akuzojë me terma të Sigurimit të Shtetit. Keni futur në listë deputetë që nuk kanë bërë asgjë në Kuvend. Qëllimi juaj është të fshini opozitën dhe të krijoni një Kuvend njëpartiak,” deklaroi Bardhi gjatë mbledhjes.

Ai shtoi se sipas opozitës, synimi real i mazhorancës është pengimi i PD-së në komisione kyçe, përfshirë Këshillin e Imuniteteve, duke e cilësuar orarin e mbledhjes si të qëllimshëm.

Çfarë kërkon PS?

Grupi Parlamentar i PS-së ka kërkuar masa disiplinore të ashpra, duke argumentuar se gjatë seancës së kaluar në Kuvend pati:

  • hedhje lëndësh piroteknike,
  • akte dhune dhe bllokim të foltores,
  • pengim të punimeve parlamentare,
  • shkelje të rënda të Rregullores së Kuvendit dhe Kodit të Sjelljes së Deputetit.

Lista e deputetëve për përjashtim

60 ditë përjashtim kërkohet për deputetë si Belind Këlliçi, Albana Vokshi, Klevis Balliu dhe Flamur Noka, ndër të tjerë.

30 ditë përjashtim për Gazment Bardhin, Elda Hotin dhe Sali Berishën.

10 ditë përjashtim për 19 deputetë të tjerë të PD-së.

Vendimi për shtyrjen shihet si një fitore e përkohshme për opozitën, e cila këmbëngul se çdo masë disiplinore duhet të bazohet në prova të qarta dhe transparente. Të martën pritet një tjetër përballje e fortë politike, që mund të përcaktojë fatin e opozitës në Kuvend dhe të thellojë më tej përplasjen PS–PD.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related