Një skenar i paimagjinueshëm politik duket se po trondit prapaskenat e politikës shqiptare. Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili për muaj të tërë ka sulmuar Reformën në Drejtësi dhe SPAK-un, duket se ka zbuluar një strategji të re të fshehtë për të dobësuar Prokurorinë e Posaçme. Dhe në këtë mision, burime të sigurta thonë se ai ka nevojë për votat e Edi Ramës Sipas informacioneve ekskluzive, Berisha po kërkon një rrugë të re për të minuar SPAK-un, duke propozuar një rivlerësim të Reformës në Drejtësi përmes Komisionit të Venecias. Por ky hap nuk është i mjaftueshëm pa ndryshime kushtetuese, për të cilat ai ka nevojë për mbështetjen e Partisë Socialiste. Megjithëse publikisht mohon çdo marrëveshje me Ramën, realiteti është ndryshe. Burime pranë PD-së tregojnë se një kanal komunikimi i heshtur mes dy liderëve tashmë është hapur. Berisha është përpjekur ta shesë këtë lëvizje si një veprim parimor kundër “prokurorisë politike”, por në të vërtetë, kjo është e vetmja mënyrë për të shpëtuar veten nga ndjekja penale.
Nga ana tjetër, Edi Rama, i cili publikisht e përqesh liderin historik të PD-së, mund të shfrytëzojë këtë moment për të siguruar ndryshime të tjera në Kushtetutë që i japin atij më shumë kontroll mbi drejtësinë dhe ekuilibrat e pushtetit. Madje më ironikja është se edhe presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dikur aleati kryesor i Berishës në luftën kundër SPAK-ut, ka folur për këtë cështje, teksa nga qelia e tij e burgut, ka deklaruar se është kundër çdo lëvizjeje që synon shkrirjen e SPAK-ut, duke e cilësuar planin “Venecia” si një mekanizëm mbështetës për Reformën në Drejtësi. Megjithatë ky qëndrim e lë Berishën të ekspozuar dhe e bën edhe më të varur nga një marrëveshje e mundshme me Ramën. Me një histori të gjatë paktesh të fshehta, si ai i vitit 2008 që ndryshoi Kushtetutën shqiptare, por edhe ato të fundit mes PD dhe PS, si Amnistia Penale dhe Reforma Zgjedhore, ngrihet pyetja a jemi duke parë një tjetër pakt Rama-Berisha? A do të rikthehet modeli i vjetër i bashkëpunimit mes dy liderëve që për publikun sillen si armiq të betuar? Duket se përgjigjet do të vijnë shumë shpejt, dhe ato mund të jenë tronditëse.
