Kërkesa e depozituar të premten nga Fatmir Xhafaj, në emër të Komisionit Parlamentar “Për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale”, për të zhvilluar një vizitë “monitoruese” në SPAK, shihet si një hap i rrezikshëm dhe i paprecedent nga klasa politike shqiptare për të cenuar pavarësinë e Prokurorisë së Posaçme.
Megjithëse formalisht nisma vjen nga një strukturë parlamentare, burime politike e lidhin atë drejtpërdrejt me dy figurat kryesore të politikës shqiptare, Edi Rama dhe Sali Berisha, të cilët ndodhen nën presion të shtuar për shkak të hetimeve dhe zhvillimeve të fundit në drejtësi.
Të dy liderët, sipas këtyre burimeve, janë alarmuar nga situata e re ku SPAK ka intensifikuar hetimet ndaj figurave të nivelit të lartë politik. Në rastin e Berishës, pesha e sanksioneve ndërkombëtare dhe akuzave të rënda për korrupsion dhe krime shtetërore është tashmë e njohur publikisht. Ndërsa për Edi Ramën, hetimet që prekin qeverinë dhe rrethin e tij të afërt, përfshirë dosjet Balluku dhe AKSHI, kanë krijuar një situatë të paprecedent presioni politik.
Në këtë kontekst, riaktivizimi i komisionit të drejtuar nga Fatmir Xhafaj shihet si një përpjekje për të testuar kufijtë e pavarësisë së SPAK dhe për të ushtruar presion institucional ndaj organit të akuzës. Nuk është rastësi që kërkesa për “monitorim” u bë pikërisht në ditët e para të marrjes së detyrës nga kryeprokurori i ri i SPAK.
Prokuroria e Posaçme reagoi me një refuzim të prerë, duke e cilësuar nismën si ndërhyrje të paligjshme dhe cenim të drejtpërdrejtë të pavarësisë kushtetuese të institucionit. Me këtë përgjigje, SPAK i vendosi qartë vijat e kuqe Parlamentit dhe mazhorancës, duke refuzuar çdo tentativë kontrolli politik.
Pavarësisht këtij refuzimi, analistë dhe aktorë politikë paralajmërojnë se kjo është vetëm faza e parë e një strategjie më të gjerë. Historia e komisionit Xhafaj, i cili u kundërshtua më herët nga BE dhe SHBA dhe dështoi në legjislaturën e kaluar, po rikthehet në një moment kritik për drejtësinë e re.
Bllokimi i kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut nga Kuvendi shihet si një tjetër sinjal i qartë i përplasjes së hapur mes qeverisë dhe drejtësisë. Hetimet që kanë hyrë në strukturat kyçe të pushtetit dhe që prekin interesa të drejtpërdrejta politike kanë shtuar frikën dhe reagimin e fortë të elitës politike.
Sipas kritikëve, tentativa për të përdorur Parlamentin si mjet presioni ndaj SPAK përbën një shkelje të hapur të parimeve të shtetit të së drejtës dhe një sfidë direkte ndaj qëndrimit të SHBA dhe BE për pavarësinë e drejtësisë në Shqipëri.
Mesazhi që vjen nga kjo përplasje është i qartë: një pjesë e madhe e spektrit politik, e ndjerë e rrezikuar nga drejtësia e re, po teston kufijtë për të mbrojtur veten. Por reagimi i SPAK tregon se vijat e kuqe janë vendosur dhe se përplasja mes politikës së vjetër dhe drejtësisë së re sapo ka hyrë në fazën më të ashpër.
