Tensione të reja në Gjirin Persik: Irani sfidon SHBA për Ngushticën e Hormuzit, Trump kundërshton tarifat e kalimit

Data

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë rikthyer në qendër të vëmendjes, pasi Marina e Gardës së Revolucionit Islamik paralajmëroi se anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit duhet të përdorin vetëm korridoret detare të autorizuara nga Teherani, duke kërcënuar me masa ndaj atyre që nuk respektojnë këtë kërkesë.

Në një deklaratë të cituar nga agjencia iraniane ISNA, autoritetet ushtarake iraniane theksuan se kalimi i sigurt në këtë rrugë strategjike detare është i mundur vetëm përmes itinerareve të përcaktuara nga Irani.

Nga Uashingtoni, presidenti amerikan Donald Trump reagoi menjëherë ndaj mundësisë së vendosjes së tarifave për kalimin në Ngushticën e Hormuzit, duke e cilësuar një veprim të tillë si të papranueshëm.

“Do të ishte e papranueshme. Ekzistojnë edhe ngushtica të tjera ndërkombëtare dhe nuk do ta lejonim as atje. Kjo do t’i ndryshonte plotësisht rregullat e lojës”, deklaroi Trump nga Zyra Ovale.

Ai shtoi se Irani ka njoftuar pezullimin për 60 ditë të çdo tarife të mundshme për kalimin në ngushticë, ndërkohë që vijojnë bisedimet mes palëve.

Gjatë takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, presidenti amerikan përsëriti gjithashtu kritikat ndaj aleancës për nivelin e angazhimit të vendeve anëtare në çështjet e mbrojtjes.

Rutte paraqiti të dhëna mbi rritjen e shpenzimeve ushtarake të vendeve të NATO-s që prej vitit 2017, si dhe theksoi mbështetjen logjistike të aleatëve gjatë operacioneve ushtarake amerikane. Megjithatë, Trump u shfaq skeptik ndaj argumenteve të paraqitura, ndonëse vlerësoi përpjekjet e kreut të NATO-s.

Përparim në dialogun Izrael-Liban

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, bëri të ditur se Izraeli dhe Libani po zhvillojnë bisedime të drejtpërdrejta për herë të parë pas rreth 30 vitesh, në një proces që synon normalizimin e marrëdhënieve dhe krijimin e kushteve për një marrëveshje afatgjatë.

Gjatë një vizite në Bahrein, Rubio deklaroi se palët janë pranë dakordësimit për një deklaratë të përbashkët qëllimi.

“Mendoj se jemi shumë afër arritjes së një deklarate qëllimi nga të dy vendet. Është një proces që kërkon kohë, por për herë të parë në tre dekada qeveria libaneze po flet drejtpërdrejt me qeverinë izraelite”, u shpreh ai.

Raundi i pestë i negociatave, i zhvilluar në Uashington me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, është fokusuar në krijimin e zonave pilot përgjatë kufirit, të cilat do të administrohen nga ushtria libaneze, me synimin për të ulur tensionet dhe për të forcuar stabilitetin në rajon.

Sipas autoriteteve amerikane dhe presidentit të Libanit, Joseph Aoun, këto bisedime janë të pavarura nga dialogu që Uashingtoni zhvillon me Iranin, megjithëse Teherani ka deklaruar se zhvillimet rajonale mbeten të ndërlidhura me negociatat më të gjera në Lindjen e Mesme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related