Policia e Shtetit ka shtuar masat e sigurisë për sezonin turistik veror, me fokus të veçantë garantimin e rendit dhe sigurisë përgjatë vijës bregdetare. Nga Durrësi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda Hita, deklaroi se këtë vit monitorimi i mjeteve lundruese do të kryhet edhe me dronë, ndërsa patrullimet do të zhvillohen përgjatë gjithë bregdetit.
Sipas tij, policia do të vijojë të aplikojë patrullimin me biçikleta në zonat pedonale dhe përgjatë plazheve, një praktikë që synon të rrisë praninë e efektivëve dhe komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët dhe turistët.
“Po aplikojmë me sukses praninë e efektivëve me biçikleta në pedonale dhe në vijën bregdetare. Kjo rrit efikasitetin dhe komunikimin me qytetarët. Vëmendje e veçantë i kushtohet sigurisë detare dhe Njësia Policore Detare është në gatishmëri të plotë 24 orë në 24, me patrullime në të gjithë vijën bregdetare”, u shpreh Hita.
Ai theksoi se, krahas patrullimeve në det, këtë sezon do të përdoren edhe dronë për monitorimin nga ajri të mjeteve lundruese dhe respektimin e rregullave të lundrimit.
“Këtë sezon njësia policore detare do të mbështetet edhe nga ajri përmes dronëve. Nuk do të tolerohet asnjë shkelje nga mjetet lundruese që rrezikojnë jetën e pushuesve”, deklaroi ai.
Hita bëri të ditur gjithashtu se mjetet lundruese në pronësi të shtetasve të huaj do t’i nënshtrohen verifikimeve dhe regjistrimeve në kohë reale përmes sistemit TIMS.
Në përfundim, kreu i Policisë së Shtetit u kërkoi efektivëve të tregojnë vigjilencë maksimale dhe profesionalizëm gjatë ushtrimit të detyrës, duke theksuar rëndësinë e komunikimit me etikë dhe humanizëm ndaj qytetarëve, si dhe ftoi publikun të bashkëpunojë me policinë për një sezon turistik sa më të sigurt.
