Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut do shtojë sigurinë në rrugë

Data

Shumë shpejt, në janar 2025, do të jetë funksionale Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut. Shqipëria është bërë pjesë e korridoreve kryesore paneuropiane, si Korridori Blu dhe Korridori i 8-të. Duke qenë pjesë e akseve të rëndësishme rrugore evropiane, rrugët kryesore të Shqipërisë duhet të garantojnë sigurinë më të lartë të mundshme, në radhë të parë për jetën e qytetarëve tanë udhëtues. Kjo Qendër do të mundësojë mbledhjen dhe shkëmbimin e informacionit elektronik në kohë reale, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe menaxhimit të trafikut në përgjithësi. Ajo përfaqëson një strukturë koordinuese ndërinstitucionale, e cila ka për detyrë organizimin, planifikimin dhe drejtimin e kontrollit rrugor dhe rritjen e sigurisë rrugore, nëpërmjet mbledhjes, përpunimit, ruajtjes, shpërndarjes dhe përdorimit të të dhënave të transportit rrugor, në përputhje me legjislacionin vendas dhe atë ndërkombëtar. Në mesin e shkurtit 2020, 80 ministra nga vende të ndryshime të botës, mes tyre dhe Shqipëria, miratuan Deklaratën e Stokholmit për Sigurinë Rrugore Botërore, duke u angazhuar për zbatimin e saj.

Shqipëria ndërmori angazhimin për zbatimin e planit të masave të parashtruara në Deklaratë, për të rritur investimet në infrastrukturë dhe zbatimin e metodave inovative të evidentuara në praktikat më të mira ndërkombëtare, me qëllim përmirësimin e sigurisë rrugore, parandalimin e aksidenteve dhe reduktimin e numrit të fataliteteve, si pasojë e tyre. Deri më sot, ndërhyrjet e bëra në akset tona kryesore rrugore, për eliminimin e pikave të zeza në akset rrugore, përmes projektit për “Mirëmbajtje dhe Siguri Rrugore”, në bashkëpunim me Bankën Botërore, kanë përbërë një element të rëndësishëm, që ka ndikuar në rritjen e sigurisë rrugore në vend. Në 6 vitet e fundit, është pakësuar me 28 përqind numri i aksidenteve në rrugët e Shqipërisë, edhe pse kemi një rritje me 52 përqind të mjeteve motorike në qarkullim. Edhe numri i vdekjeve për shkak të aksidenteve automobilistike është ulur me 24 përqind. Por kjo nuk mjafton. Prandaj është e domosdoshme që akset tona kryesore rrugore të ofrojnë të njëjtat standarde sigurie të rrugëve të Bashkimit Evropian.

Prandaj dhe njësia e Qendrës Kombëtare të Monitorimit të Trafikut paraqitet thelbësore. Ajo është një strukturë moderne me katër kate, e shtrirë në një sipërfaqe prej rreth 1,500 m2 mbi tokë, ndërsa 500 m2 të tjerë janë ndërtuar nën tokë, ku janë vendosur serverat dhe materialet e tjera elektronike dhe teknike. Në Qendër po kryhen punimet e fundit për instalimin e sistemeve kompjuterike, përmes së cilave do të kryhet monitorimi 24 orë në 7 ditë të javës i disa prej akseve rrugore kryesore të vendit. Qendra do të ketë në total 200 punonjës nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, Policia Rrugore, Urgjenca Kombëtare dhe Mbrojtja Civile. Këta punonjës do të vëzhgojnë trafikun në disa prej akseve kryesore rrugore, ku do të vendosen kamera inteligjente dhe radarë. Qendra do të monitorojë fillimisht akset Tiranë-Durrës, Tiranë-Elbasan, Durrës-Rrogozhinë, Rrogozhinë-Fier, By Pass-in e Fierit dhe Levan-Vlorë, në 200 km e para, me një total prej 150 kamerash inteligjente. Në fokus të monitorimit do të jenë edhe radarët nga Policia e Shtetit.

Për herë të parë aplikohen sensorët e peshës, për rrugët të cilat kanë limit të përcaktuar sipas ligjit. Kamerat e Qendrës do të shërbejnë edhe për të zbuluar raste kriminale në rrugë. Ato do të ndërthuren me projektin “Smart City(Qyteti i Zgjuar)” i Ministrisë së Brendshme, për monitorimin edhe të zonave të banuara, sidomos në afërsi të shkollave. Me shumë rëndësi është parë investimi në monitorë të mëdhenj në rrugë, të cilët do të orientojnë trafikun në akse me qarkullim më të ulët. Puna do të nisë shumë shpejt me mbikqyrjen e 200 kilometrave të para sipas akseve rrugore të lartpërmendura, Tiranë-Elbasan dhe Tiranë-Vlorë, për të kaluar gradualisht në monitorimin e 3 mijë e 600 km rrugë kombëtare. Qendra e Monitorimit të Trafikut do t’i shërbejë jo vetëm sigurisë rrugore, por edhe sigurisë kombëtare. Zbatimi i projektit për Qendrën ndihmon që korridoret kryesore të transportit të Shqipërisë të bëhen pjesë e një sistemi të sigurtë, të integruar dhe multimodal të transportit ndërevropian.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related