Priten arrestime të tjera në nivele të larta, Altin Dumani nxjerr detajet e forta, tregon funksionarët e hetuar dhe…

Data

Teksa drejtësia në Shqipëri po kalon në një moment kyç, kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, ka zbuluar dje detaje për hetimet në zhvillim që mund të shkaktojnë një “tërmet” jo vetëm në nivele të larta të administratës shtetërore, por edhe brenda vetë institucioneve që kanë për detyrë të ndjekin dhe ndëshkojnë korrupsionin. Dy vite pas marrjes së detyrës, kryeprokurori i SPAK, Altin Dumani ka dhënë sinjale të qarta se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është gjithnjë e më e ashpër dhe nuk do të ndalet, pavarësisht nga pozitat dhe lidhjet politike. Ai ka zbuluar se janë në hetim figura të njohura, nga ish-prokurorë dhe gjyqtarë deri tek kryetarë bashkish, të cilët janë përfshirë në afera që kanë shpërdoruar pushtetin për interesa personale.

Në një intervistë ekskluzive në “RTSH” për emisionin “3D nga Alban Dudushi”, zoti Dumani theksoi se asnjë funksionar, pavarësisht rangut të tij, nuk do të shpëtojë pa u vënë para përgjegjësisë. Ky paralajmërim i fortë erdhi pas konfirmimit të një dosjeje “të nxehtë”, që po hetohet nga SPAK dhe që mund të tronditë strukturat e larta të pushtetit, duke përfshirë edhe vetë autoritetet që janë thirrur të mbrojnë drejtësinë. Ndërkohë një nga temat më shqetësuese që ai preku ishte rreziku i rrjedhjes së sekreteve hetimore, një fenomen që mund të dëmtojë më tej besimin në sistemin, madje edhe brenda SPAK. Megjithatë Dumani ishte i qartë, kur tha se: “Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk do të shpëtojë nëse është përfshirë në afera korruptive e kriminale”.

Dosjet

Konkretisht kreu i SPAK, Altin Dumani ka dhënë dje një intervistë, teksa ka folur në lidhje me punën e tij në krye të Prokurorisë së Posaçme si dhe vështirësitë e hasura. Dumani tha se SPAK është krijuar në dhjetor të 2019-tës dhe deri më sot ka hasur një sërë vështirësish duke filluar që nga mungesa e stafit tek mjete për t’i përdorur për hetime të ndryshme. “Në dhjetor SPAK bën 5 vjet. Për publikun dhe për ju si media, ndoshta 5 vjet duken shumë, por realisht për një institucion janë shumë pak për të marrë formën që duhet, duke marrë në konsideratë edhe vështirësitë që kemi kaluar si institucion. Ne kemi filluar në 19 dhjetor 2019, kemi qenë vetëm 18 prokurorë, nuk kishim staf administrativ, nuk kishim madje as godinë, nuk bëhej fjalë të kishim mjete për t’i përdorur për hetimin. Nga ana tjetër kishim një fluks shumë të madh procedimesh penale. Trashëguam nga prokuroria e Krimeve të Rënda një numër relativisht të madh dosjesh. Prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm shpallën moskompetencën dhe dërguan shumë dosje në Prokurorinë e Posaçme. Kemi kaluar shumë vështirësish, situata është ndryshe sot”, është shprehur Dumani për emisionin “3D nga Alban Dudushi”.

Kreu i SPAK vuri në dukje edhe se cilët janë funksionarët që janë vendosur para drejtësisë. Dumani ka theksuar se nën lupën e drejtësisë janë vënë ish-gjyqtarë, ish-prokurorë, për kryetarë bashkish, ish-kryetarë bashkish, anëtarë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë si dhe funksionarë shumë të lartë policie. “Sa i takon korrupsionit, besoj se SPAK ka demonstruar këto vite se është në gjendje të ushtrojë ndjekjen penale ndaj çdo subjekti pavarësisht pozitës së tij, profilit tij, sado i lartë të jetë, ne po e bëjmë me prova dita-ditës. Ju e dini se SPAK ka ushtruar ndjekjen penale për funksionarë shumë të lartë, të nivelit të mesëm, të nivelit të ulët, ish-gjyqtarë, ish-prokurorë, për kryetarë bashkish, ish-kryetarë bashkish, anëtarë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, funksionarë shumë të lartë policie”, shpjegoi kreu i SPAK-ut. Po ashtu, Dumani theksoi se SPAK ka goditur organizata kriminale që më parë as mendohej të prekeshin. “Sa i takon krimit të organizuar ka treguar në këto vite se në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë të ushtrojë ndjekjen penale ndaj grupeve të strukturuara kriminale dhe organizatave kriminale që më parë as që mendohej të prekeshin por sot është realitet”, tha më tej Dumani.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related