Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) parashikon të zhvillojë tendera me vlerë rreth 4.58 miliardë lekë, ose 47.7 milionë euro, gjatë vitit 2026, për dhjetë projekte madhore në fushën e teknologjisë së informacionit dhe digjitalizimit të shërbimeve publike.
Sipas të dhënave të analizuara nga burime të hapura financiare, projekti me vlerën më të lartë të planifikuar për vitin 2026 është “Modernizimi i sistemit të prokurimeve publike”, për të cilin janë parashikuar rreth 1.15 miliardë lekë. Ky projekt është pjesë e paketës GovTech dhe financohet përmes huave të Bankës Botërore, me një vlerë totale që arrin rreth 1.9 miliardë lekë, ku më shumë se 60% e fondit pritet të shpenzohet vetëm gjatë vitit 2026.
Në vendin e dytë renditet projekti “Përmirësimi i shërbimeve elektronike me teknologji mikroservisi”, me 600 milionë lekë të planifikuara për vitin e ardhshëm. Ky projekt ka nisur në vitin 2024, me një vlerë totale prej rreth 1.7 miliardë lekë, dhe pritet të përfundojë në vitin 2027.
Projekti i tretë për nga madhësia e fondeve është “Implementimi i Platformës Qeveritare të Ndërveprimit 2.0 dhe site sekondar”, me një financim të parashikuar prej 563.6 milionë lekësh për vitin 2026.
Ndër projektet e tjera me financime të konsiderueshme përfshihen:
- Sistemet TIK për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, me 463 milionë lekë
- Sistemet TIK për Ministrinë e Bujqësisë dhe AZHBR, me 400 milionë lekë
- Implementimi i infrastrukturës së qendërzuar, me 336.2 milionë lekë
- Projekte të lidhura me sistemet Oracle, me rreth 300 milionë lekë
- Investime shtesë për sisteme financiare dhe menaxhimin elektronik të dokumenteve
Megjithatë, këto plane investimi zhvillohen në një klimë të ndjeshme institucionale, pasi AKSHI ndodhet nën hetim nga SPAK, pikërisht për procedurat e prokurimit dhe menaxhimin e tenderave publikë. Hetimet kanë ngritur dyshime mbi transparencën, konkurrencën dhe ligjshmërinë e disa kontratave të mëparshme, duke e bërë edhe më të domosdoshëm monitorimin e rreptë të fondeve publike.
Në këtë kontekst, ekspertët e ekonomisë dhe qeverisjes theksojnë se shpenzimi i dhjetëra milionë eurove në sektorin e teknologjisë kërkon kontrolle të shtuara institucionale, transparencë maksimale dhe përgjegjësi të qartë, për të shmangur rrezikun e abuzimit me fondet publike dhe për të garantuar që investimet të shërbejnë realisht për interesin e qytetarëve.
