Deputeti Tedi Blushi i ka drejtuar një kërkesë zyrtare ministrit të Brendshëm, Besford Lamallari, dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, duke kërkuar informacion dhe sqarime lidhur me ndërhyrjen e policisë gjatë protestës së zhvilluar më 23 korrik pranë Kuvendit të Shqipërisë.
Në dokumentin e bërë publik, Blushi shpreh shqetësimin për mënyrën e menaxhimit të protestës, duke pretenduar se është përdorur forcë e pajustifikuar ndaj protestuesve. Ai argumenton se raportimet mediatike dhe dëshmitë e publikuara, sipas tij, ngrenë pikëpyetje mbi respektimin e standardeve kushtetuese, ligjore dhe ndërkombëtare për përdorimin e forcës nga Policia e Shtetit.
Në kërkesën e tij, deputeti kërkon informacion mbi planin operacional të policisë, zinxhirin komandues që ka drejtuar operacionin, numrin e efektivëve të angazhuar dhe bazën ligjore mbi të cilën është vendosur përdorimi i forcës.
Blushi kërkon gjithashtu sqarime për përdorimin e agjentëve kimikë gjatë protestës, duke kërkuar të bëhen publike lloji i substancave të përdorura, sasia, njësitë policore që i kanë përdorur, procedurat e ndjekura për paralajmërimin e protestuesve dhe çdo vlerësim të mundshëm mbi ndikimin e tyre në shëndetin e qytetarëve.
Në dokument kërkohet edhe informacion mbi numrin e personave të shoqëruar, ndaluar ose arrestuar, bilancin e të lënduarve, ruajtjen e pamjeve nga kamerat trupore dhe operative, si dhe nëse është nisur ndonjë hetim administrativ ose penal për të verifikuar ligjshmërinë e veprimeve të punonjësve të Policisë së Shtetit.
Në përfundim, deputeti kërkon që përgjigjja ndaj kësaj kërkese t’i përcillet edhe Kuvendit të Shqipërisë dhe të bëhet publike, duke theksuar nevojën për transparencë dhe verifikim institucional të ngjarjeve të regjistruara gjatë protestës.
Deri në publikimin e këtij materiali, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk kanë reaguar ndaj kërkesës së deputetit Tedi Blushi. Pretendimet e paraqitura në shkresë përfaqësojnë qëndrimin e autorit të saj dhe nuk përbëjnë konstatime të verifikuara nga autoritetet përgjegjëse.
