Mbretëria e Bashkuar ka shprehur shqetësim lidhur me zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me riintegrimin e pjesëtarëve të komunitetit serb në institucionet e drejtësisë në Kosovë.
Në një reagim të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, pas dekretit të ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve të komunitetit serb, theksohet rëndësia e ruajtjes së besimit të të gjitha komuniteteve në sistemin e drejtësisë.
Sipas ambasadës britanike, institucionet përgjegjëse duhet të vijojnë përpjekjet për integrimin e komuniteteve në sistemin e drejtësisë, me qëllim forcimin e besimit të publikut në institucionet e sundimit të ligjit.
Edhe Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj këtij zhvillimi, duke shprehur shqetësim për vendimin dhe duke u bërë thirrje institucioneve të Kosovës të shmangin veprimet që, sipas tij, mund të pengojnë riintegrimin e personelit gjyqësor serb në sistemin e drejtësisë.
Më 21 korrik, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, dekretoi lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve të komunitetit serb, pasi Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte refuzuar më herët kërkesën për tërheqjen e dorëheqjeve të tyre.
Prokurorët në fjalë ishin pjesë e grupit të zyrtarëve serbë që dhanë dorëheqjen nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022, në kuadër të krizës politike të shkaktuar nga mosmarrëveshjet për regjimin e targave të automjeteve.
Autoritetet e Kosovës kanë mbrojtur vendimet e marra, ndërsa çështja vijon të jetë objekt reagimesh nga partnerët ndërkombëtarë.
