sh-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka shprehur kritika ndaj mënyrës se si funksionon sistemi politik në Shqipëri, duke theksuar se një nga problemet kryesore është mungesa e përgjegjshmërisë së politikës ndaj qytetarëve.
Sipas tij, në një demokraci funksionale duhet të jetë qeveria ajo që ka frikë nga populli dhe jo e kundërta.
“Qytetarët duhet të dinë për kë votojnë dhe politikanët duhet të kenë frikë nga qytetarët. Sot situata është e përmbysur, shpesh qytetarët janë ata që ndihen të frikësuar nga politika”, u shpreh Bushati.
Ai theksoi se Bashkimi Evropian nuk ka një problem parimor për pranimin e Shqipërisë, duke qenë se vendi është tashmë anëtar i NATO-s, por sfida kryesore lidhet me modelin politik dhe standardet demokratike.
Sipas Bushatit, problemi kryesor qëndron tek garantimi i një fushe loje të barabartë në politikë dhe tek gatishmëria e aktorëve politikë për të pranuar humbjen e pushtetit.
Ai shtoi gjithashtu se është e domosdoshme ndarja e qartë mes administratës shtetërore dhe partisë në pushtet, duke e cilësuar këtë si një element thelbësor për funksionimin e demokracisë.
Bushati u ndal edhe te zhvillimet që lidhen me gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke theksuar se përtej retorikës patriotike është e nevojshme një strategji e qartë kombëtare për të mbrojtur interesat shqiptare në arenën ndërkombëtare.
