Buxheti i vitit 2026 synon të rrisë të ardhurat me rreth 530 milionë euro pa vendosur taksa të reja, duke u mbështetur në rritjen e pagave dhe formalizimin e ekonomisë. Barrën kryesore fiskale e mbajnë punonjësit dhe konsumatorët, ndërsa bizneset më pak. Shpenzimet për pensionet dhe pagat e sektorit publik përbëjnë 50% të buxhetit 2026, ndërsa arsimi dhe shëndetësia mbeten nën mesataren rajonale. Investimet kapitale janë të larta, me fokus në transport, teksa shpërndarja dhe eficienca e tyre mbetet e diskutueshme
Projektbuxheti 2026 vjen këtë herë me një zhvendosje të lehtë të politikës buxhetore drejt kapitalit njerëzor, duke kombinuar qëndrueshmërinë fiskale me rritje të shpenzimeve për paga, pensione dhe investime në infrastrukturë.
Buxheti 2026 nuk sjell taksa të reja, por rrit të ardhurat përmes efekteve indirekte të rritjes së pagave, inflacionit dhe formalizimit.
Më i fituari del shteti, pasi barrën më të madhe e mbartin punonjësit dhe konsumatorët, ndërsa bizneset e mëdha do të mbajnë vetëm një pjesë të vogël të kësaj shtese.
Në krahun tjetër, rreth një e treta e shpenzimeve totale prej 886.7 miliardë lekësh shkon për mbrojtje sociale dhe paga në sektorin publik më 2026, ndërsa shpenzimet për arsimin dhe shëndetësinë së bashku nuk i kalojnë 4.6% të PBB-së, një nivel që mbetet dukshëm nën mesataren e rajonit, ku këta sektorë arrijnë 6–7% të PBB-së.
Ndarja e shpenzimeve buxhetore tregon për një orientim të politikës fiskale drejt menaxhimit të menjëhershëm të kostove sociale, në vend të investimeve strukturore që gjenerojnë produktivitet afatgjatë.
Të ardhurat buxhetore pritet të arrijnë në 823.7 miliardë lekë, me shtim rreth 53 miliardë lekë ose 7% më shumë, që pritet të mbështet nga rritja e pagave dhe formalizimi i tregut të punës.
Në këtë mënyrë, qeveria synon të rikthejë te qytetarët një pjesë të rritjes ekonomike të arritur në dy vitet e fundit, pa e rënduar borxhin publik, pasi deficiti buxhetor mbeti në nivelin 63 miliardë lekë, me rritje rreth 2% nga ky vit.
Balanca mes mbledhjes së të ardhurave dhe shpërndarjes së tyre është përmirësuar, për shkak të një politike më agresive për rritjen e pensioneve.
Shpenzimet sociale dhe pagat publike përbëjnë tashmë më shumë se gjysmën e buxhetit total, ndërsa investimet kapitale, të mbajtura në nivelin 6.5% të PBB-së.
Në këtë buxhet po synohet një tranzicion social, që përpiqet ta afrojë Shqipërinë me standardet rajonale.
Kush do të paguajë më shumë në 2026
Projektbuxheti 2026 parashikon një rritje të konsiderueshme të të ardhurave, që do të kapin nivelin e 823 miliardë lekëve, ose 29.6% të PBB-së.
Në krahasim me vitin 2025, të ardhurat buxhetore pritet të jenë rreth 53 miliardë lekë më shumë, një rritje që vjen më shumë nga rritja e pagave, inflacioni dhe formalizimi, sesa nga zgjerimi i bazës fiskale.
Barrën kryesore të rritjes së të ardhurave do ta mbajnë punonjësit dhe konsumatorët, ndërsa bizneset e mëdha do të kontribuojnë në një masë më të kufizuar.
Rritja e pagave, burimi më i fortë i të ardhurave të reja
Rreth 28% të të ardhurave shtesë prej 53 miliardë lekësh në vitin 2026 pritet të vijnë nga efekti i rritjes së pagës minimale nga 40 në 50 mijë lekë, që hyn në fuqi nga 1 janari 2026.
Kjo politikë është gjeneruesi kryesor që shton të ardhurat në 2026.
Efekti nga masat tatimore/buxhetore si indeksimi i pagës në administratën publike dhe rritja e pagës minimale është rreth 11,82 miliardë lekë, nga të cilat rreth 9 miliardë lekë nga rritja e pagës minimale dhe 2,79 miliardë lekë nga indeksimi i pagës në administratës publike.
Gjithashtu, një shumë tjetër prej 3.6 miliardë lekësh do të jenë efektet pozitive nga rritja e arkëtimeve nga TAP si rrjedhojë e rritjes së pagës minimale.
Në total, kontributet e sigurimeve do të arrijnë në 196.9 miliardë lekë, me një rritje 11.4% krahasuar me 2025.
Kjo do të thotë se pjesa më e madhe e shtesës së të ardhurave do të vijë nga tatimpaguesit e punësuar, të cilët po paguajnë më shumë për shkak të rritjes së pagave dhe zgjerimit të bazës së sigurimeve.
