Taulant Balla dëshmon në GJKKO për dosjen “Partizani”: Akuzon Sali Berisha se favorizoi privatizimin dhe Jamarbër Malltezi se përfitoi nga lidhja familjare

Data

Kreu i grupit parlamentar të Partia Socialiste, Taulant Balla, ka dëshmuar në GJKKO në procesin për dosjen “Partizani”, ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe persona të tjerë.

Balla, i thirrur si dëshmitar në cilësinë e kallëzuesit, deklaroi se privatizimi i ish-kompleksit sportiv “Partizani” është kryer në shkelje të ligjit dhe se, sipas tij, janë shfrytëzuar lidhje familjare dhe pozicione pushteti për të përmbyllur procesin brenda një kohe të shkurtër.

Ai tha se dyshimet e para kishin lindur nga mënyra se si kompleksi ishte hequr nga plani i përhapjes së ushtrisë, duke i hapur rrugë privatizimit. Sipas Ballës, brenda pak muajsh janë kryer procedurat e njohjes, kthimit dhe privatizimit të pronës.

Në dëshminë e tij, Balla pretendoi se Malltezi ka përfituar nga fakti që ishte dhëndri i kryeministrit të kohës, ndërsa Berisha, sipas tij, ka firmosur vendime që favorizuan procedurën.

“Sali Berisha, për shkak të pozicionit si kryeministër, krijoi mundësi që dhëndri i tij të përfitonte,” është shprehur Balla gjatë dëshmisë.

Në sallën e gjyqit ishte i pranishëm Jamarbër Malltezi, i cili e kundërshtoi dëshminë dhe ngriti pyetje mbi burimet e informacionit, dokumentet dhe mënyrën e sigurimit të të dhënave personale të përfshira në kallëzim.

Balla tha se një pjesë e materialeve ishin siguruar përmes kërkesave zyrtare drejtuar institucioneve, ndërsa të tjera nga denoncime qytetarësh dhe raportime mediatike. Ai theksoi se kallëzimin e kishte firmosur si qytetar, edhe pse në atë kohë mbante funksione politike.

Procesi pritet të vijojë me dëshmitarë të tjerë, ndërsa gjykata ka rrëzuar kërkesën e mediave për regjistrimin filmik të seancës. Dosja “Partizani” mbetet një nga çështjet më të debatueshme në skenën politike dhe juridike shqiptare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related