Plas gara në PD, Berisha u mbyll derën rivalëve: Refuzohen kandidaturat e Salianjit, Kokalarit dhe Balliut, në garë mbetet vetëm Merjeme Sela

Data

Gara për kryetarin e ri të Partisë Demokratike është shoqëruar me përplasje të forta në selinë blu, pasi kandidaturat e disa rivalëve të Sali Berishës nuk janë pranuar.

Përfaqësuesit e Ervin Salianjit, Evi Kokalarit dhe Alesia Balliut u paraqitën për të dorëzuar dokumentacionin, por sipas tyre, në seli nuk kishte asnjë përfaqësues të komisionit zgjedhor që të merrte në dorëzim dosjet. Ata e cilësuan këtë si një manovër për të bllokuar garën e hapur.

E vetmja kandidate që arriti të dorëzojë dokumentet ishte Merjeme Sela, mjeke dhe anëtare e PD-së, e cila pritet të verifikohet nëse plotëson kriteret statutore për të garuar përballë Berishës.

Përfaqësuesi i Ervin Salianjit deklaroi se zyrat e PD-së u mbyllën qëllimisht për të penguar kandidimin e tij. Në platformën e dorëzuar, Salianji kërkon hapjen dhe modernizimin e PD-së, rikthimin e marrëdhënieve me SHBA-në, mbështetjen ndaj drejtësisë dhe largimin e Berishës nga drejtimi i partisë, duke e cilësuar atë “barrë për opozitën”.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, reagoi ashpër ndaj Salianjit, duke thënë se dyert e partisë nuk janë të hapura për ata që, sipas tij, “i shërbejnë Ramës”. Ai deklaroi se për të garuar duhet të jesh demokrat dhe të plotësosh kriteret.

Edhe Evi Kokalari reagoi pas refuzimit, duke bërë të ditur se dokumentacionin e ka dërguar me email, DHL dhe mesazhe drejtuesve të PD-së, përfshirë Sali Berishën, Shkëlzen Berishën, Albana Vokshin, Ivi Kason, Flamur Nokën dhe Eno Bozdon.

Ndërkohë, Alesia Balliu e akuzoi Berishën për frikë nga gara dhe mungesë transparence, duke deklaruar se PD duhet t’u kthehet demokratëve dhe nuk mund të trajtohet si pronë personale.

Procesi i zgjedhjes së kryetarit të PD-së pritet të mbahet më 23 maj, ndërsa zhvillimet e fundit kanë thelluar akuzat për garë të mbyllur dhe përjashtim të zërave kritikë brenda partisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related