Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar për rritjen e çmimeve të karburanteve në Shqipëri, duke akuzuar qeverinë se ka lejuar një treg pa konkurrencë dhe pa kontroll nga institucionet shtetërore.
Sipas Tabakut, tensionet ndërkombëtare dhe konflikti në Gjirin Persik kanë ushtruar presion në tregjet globale të energjisë, por shumë vende europiane dhe të Ballkanit Perëndimor kanë ndërmarrë masa për të frenuar rritjen e çmimeve dhe për të mbrojtur qytetarët.
Ajo theksoi se në Shqipëri situata është ndryshe, pasi çmimet rriten menjëherë sa herë që ka zhvillime ndërkombëtare, ndërsa qeveria nuk ndërhyn për të mbrojtur konsumatorët.
“Pse rriten çmimet menjëherë të nesërmen e një konflikti botëror? Sepse kjo situatë është përgatitur prej vitesh. Qeveria shqiptare e ka lënë tregun e karburanteve të zhvillohet si një moçal, i kapur nga një pakicë dhe pa konkurrencë reale,” u shpreh Tabaku.
Deputetja e PD theksoi gjithashtu se një nga arsyet kryesore të çmimeve të larta është pesha e madhe e taksave në çmimin final të karburanteve.
Sipas saj, rreth 60 për qind e çmimit të karburantit në Shqipëri përbëhet nga taksat, gjë që rëndon ndjeshëm qytetarët dhe bizneset.
Tabaku shtoi se problem mbetet edhe mungesa e kontrollit të tregut dhe tolerimi i një strukture të mbyllur që, sipas saj, pengon konkurrencën.
“Barra e parë janë taksat e larta. Barra e dytë është shteti që nuk kontrollon, shteti që hesht dhe që nuk lejon konkurrencën,” theksoi ajo.
Në përfundim, Tabaku deklaroi se rritja e çmimeve të karburanteve po ndikon drejtpërdrejt në koston e jetesës së qytetarëve dhe në ekonominë familjare të shqiptarëve.
