“Ta mbajnë vath në vesh”/ Rama: Administrata nuk është mish për top, arrestimet pa lidhje janë të papranueshme

Data

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj asaj që e cilëson si qasje të gabuar të gjyqësorit ndaj administratës publike, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

Ai theksoi se punonjësit e administratës nuk mund të trajtohen si “mish për top” dhe të shndërrohen në objekt arrestimesh, sipas tij, për të rritur statistikat apo për të forcuar profilin profesional të prokurorëve.

Rama solli në vëmendje rastin e një punonjëseje të administratës, të cilën e cilësoi si model, duke theksuar se ajo po përballet prej pesë vitesh me një sëmundje të rëndë dhe është nënë e një foshnjeje dy muajshe.

“Një punonjëse model e administratës, që lufton prej pesë vitesh me kancerin dhe ka një fëmijë dy muajsh, nuk mund të arrestohet pa pasur asnjë lidhje konkrete, vetëm sepse institucioni ku punon prezumohet se ka lidhje me një çështje të caktuar”, u shpreh ai.

Kreu i qeverisë u ndal edhe te diskutimet me ekspertë ndërkombëtarë në kuadër të bashkëpunimit me Ministrinë e Drejtësisë së Francës dhe Spanjës, duke përmendur një parim themelor të së drejtës penale.

“Demokracitë udhëhiqen nga liria, diktaturat nga heqja e saj. Kjo është për ta mbajtur vath në vesh. Problemi ynë kryesor është se ende veprojmë me mentalitetin e heqjes së lirisë, kur në fakt duhet të udhëhiqemi nga garantimi i saj”, deklaroi Rama.

Ai theksoi se reforma dhe ndryshimet ligjore synojnë pikërisht ruajtjen e balancës mes pushteteve dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të qytetarëve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related