Në prag të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, presidenti amerikan Donald Trump i ka dërguar një letër urimi Presidentes Vjosa Osmani, duke rikonfirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për shtetin e Kosovës.
Në mesazhin e tij, Trump përgëzon popullin e Kosovës për këtë përvjetor të rëndësishëm dhe thekson se SHBA mbetet e përkushtuar ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
Presidenti amerikan shpreh gjithashtu gatishmërinë për të thelluar partneritetin mes dy vendeve, duke vënë theksin te zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik, rritja e tregtisë dhe nxitja e investimeve, me synim forcimin e prosperitetit të përbashkët.
Në letër, Trump nënvizon se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë krah për krah me Kosovën për avancimin e paqes dhe stabilitetit rajonal, në dobi të të dyja vendeve.
Ai falënderon gjithashtu Presidenten Osmani dhe qytetarët e Kosovës për mbështetjen ndaj përpjekjeve amerikane për paqe dhe mirëpret Kosovën si anëtare themeluese të Bordit të Paqes, një nismë që, sipas tij, synon ta bëjë botën më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë.
Letra e presidentit amerikan është publikuar edhe nga Presidenca e Kosovës në rrjetet sociale.
