Sulmi ushtarak i SHBA-së/ Venezuela kërkon mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Data

Përfaqësia e përhershme e Venezuelës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ka kërkuar mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit, duke dënuar sulmin e armatosur të ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara.

Ambasadori i Venezuelës ka dërguar një njoftim zyrtar drejtuar Presidentit të Këshillit të Sigurimit, ku kërkon ndërhyrje të menjëhershme pas zhvillimeve të fundit.

Sipas dokumentit, në orët e para të mëngjesit të 3 janarit 2026, forcat ushtarake amerikane kryen bombardime të njëanshme, duke goditur objektiva politike dhe ushtarake në kryeqytetin Caracas, si edhe në shtetet Miranda, Aragua dhe La Guaira.

Autoritetet venezueliane theksojnë se këto veprime përbëjnë shkelje të drejtpërdrejtë të nenit 2, paragrafi 4, të Kartës së Kombeve të Bashkuara, që ndalon përdorimin e forcës kundër integritetit territorial dhe pavarësisë politike të një shteti sovran.

“Ky përdorim i dhunës minon integritetin territorial dhe pavarësinë politike të një vendi që ndodhej në paqe”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Sipas Venezuelës, sulmi përbën një akt agresioni të qëllimshëm, i pranuar publikisht nga administrata amerikane, dhe përshkruhet si një nga ndërhyrjet më të rënda ushtarake ndaj vendit në më shumë se dy shekuj.

Qeveria venezueliane e cilëson ndërhyrjen si një përpjekje për imponimin e një qeverie të kontrolluar nga jashtë, me synim përvetësimin e burimeve natyrore të vendit, përfshirë rezervat e naftës.

Si përgjigje, Venezuela ka njoftuar aktivizimin e Nenit 51 të Kartës së OKB-së, duke rezervuar të drejtën për vetëmbrojtje.

Në kërkesën drejtuar Këshillit të Sigurimit, autoritetet venezueliane kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të sulmeve dhe mbajtjen përgjegjëse të SHBA-së për veprimet e kryera.

Dokumenti i është dërguar gjithashtu Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, me kërkesën për shpërndarje zyrtare tek të gjitha shtetet anëtare.

Venezuela thekson angazhimin e saj për paqe dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare, duke e cilësuar situatën si një kërcënim serioz për stabilitetin rajonal dhe global.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related